Në Gjykatën e Posaçme vijon procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili kërkon të betohet. Në seancën e sotme, e cila vijon, avokatët kanë kërkuar. përjashtimin e gjyqtarët Erjon Cela dhe Irena Gjoka për njëanshmëri. Kujtojmë se seanca për Belerin ishte shtyrë me qëllim që i pandehuri Pandeli Kokaveshi të jepte pëlqimin për të dhënë dëshmi në seancë.

Policia referonte se nuk e kishte gjetur, ndërsa avokati solli një deklaratë sipas së cilës ai ndodhet në Greqi për arsye shëndetësore. Ai kishe bërë një deklaratë para autoriteteve greke, para të cilave theksonte se nuk jep pëlqimin për të dëshmuar.

Kujtojmë se Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023.
Prokuroria e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës.
Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.