Në konferencën e fundvitit, presidenti rus Vladimir Putin dha mesazhin e qartë që paqja në Ukrainë do të vijë kur Rusia të arrijë qëllimet e saj, “largimin e nazistëve” dhe çmilitarizimi i Kievit zyrtar. “Heroi kombëtar i Ukrainës është një figurë e njohur naziste. Nëse nuk duan të bien dakord në mënyrë paqësore, ne do të duhet të ndërmarrim një veprim ushtarak”, tha Putin.

Duke bërë një bilanc, Putin tha se Rusia nuk ka më nevojë për rekrutime të reja. Kjo sepse aktualisht 244,000 ushtarë rusë po luftojnë në Ukrainë. 486,000 tashmë janë rezervistë, të gatshëm për të shkuar vullnetarisht në luftë. I pyetur nga gazetarët, Putin tha se “forcat armike” (duke përfshirë ushtrinë ukrainase dhe ndërkombëtarët) “kanë dështuar kudo” në kundërsulmin e tyre. Në këtë kontekst, ai e përshkroi udhëheqjen e Ukrainës si “budallaqe” dhe “të papërgjegjshme”.

“Ata i shtyjnë njerëzit e tyre dhe ata njerëz do të vdesin”, shtoi Putin. Presidenti rus iu referua edhe vendeve të Perëndimit duke thënë se “ne nuk i prishëm marrëdhëniet me Perëndimin. Ata i prishën marrëdhëniet me ne dhe gjithmonë përpiqeshin të na rrëzonin, duke injoruar interesat tona”. Intervista e Putinit nuk mund të ishte pa folur për SHBA për të cilën tha se është i gatshëm t’i rregullojnë marrëdhëniet me ta.

“Ne jemi të gatshëm të rregullojmë marrëdhëniet mes nesh. Ne besojmë se SHBA-ja është një vend i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në botë. Por lloji perandorak i politikës që ata po zbatojnë është duke vendosur pengesa”, deklaroi presidenti. Putin u shfaq i bindur se Rusia “do të ecë përpara” pavarësisht sanksioneve ekonomike, luftës në Ukrainë dhe konfrontimit me Perëndimin.