Kryeministri Edi Rama u pyet në emisionin “Debat” në A2CNN nga analisti Lutfi Dervishi se cila është zgjidhja që ai ofron për të rikthyer në normalitet jetën parlamentare në vend, pas kaosit të krijuar nga aksioni opozitar.

Shefi i qeverisë rrëzoi kategorikisht mundësinë e kundërpërgjigjes me dhunë dhe nënvizoi se nuk mund të ketë një zgjidhje në kushtet, kur “një lukuni luanësh” sipas tij synojnë “të rrëzojnë regjimin”.

Ai deklaroi se opozita po aplikon një agjendë destruktive për të shkaktuar konflikt dhe kaos.

“Nuk kam. Nuk mund të zgjidhesh dot një situatë që në mënyrë të qëllimshme bëhet nyje sepse janë agjenda totalisht të ndryshme. Jo se janë qëndrime për borxhin, apo qasje për punësimin, apo opinione për rrogat. Njëra është një agjendë normale pune parlamentare dhe qeverisëse. Tjetra është agjendë destruktive për të krijuar sa më shumë kaos dhe konflikt, me shpresën se do të zgjojë lepurin në zemrat e luanëve, ose luanin në zemrat e lepujve. Një shprehje që thuhet se është qëllimi final i gjithë kësaj. Do vritet lepuri dhe do zgjohet luani në zemrat e gjithë shqiptarëve dhe pastaj një lukuni e madhe luanësh do të rrëzojë regjimin. Në këtë rast nuk ke çfarë zgjidh fare. Në rast se këtu këta djem që janë mbrapa kamerave papritur na sulen ne. Çfarë bëjmë ne të tre? Ne i mbajmë këta që të mos ju hanë juve. Në çdo rast kundërveprimi ndaj tyre me dhunë do të ishte katastrofë”, tha Rama.