Disa ditë pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, një baner i madh me shkronjën Z, është parë në fasadën e teatrit, në qendër të qytetit të Siberisë, Irkutsk. Ky ka qenë vetëm një prej shumë banerëve të ngjashëm që kanë pasur një simbol të ri të Kremlinit për të treguar mbështetjen për luftën, për politikat e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të administratave lokale, që i kanë ndërmarrë atëbotë. Kritikët e simbolit Z e shohin atë si emblemë fashiste të një besnikërie ndaj shtetit, të detyruar nga vetë shteti, së cilës i referohen si “Zvastika”. Baneri ka qenë për shumë muaj prezent në Irkutsk. Mirëpo, në maj, mediat lokale kanë raportuar se përfaqësuesit e komunitetit të teatrove të qytetit, kanë dërguar dy kërkesa te autoritetet komunale, për heqjen e banerit.
Sipas letrave të tyre, baneri është vandalizuar më shumë se një herë. Kryetari i ka injoruar thirrjet, mirëpo Vadim Palko, i cili menaxhon kanalin e qytetit në platformën Telegram, e ka nisur një fushatë publike, duke kërkuar që baneri të largohej. Shumë shpejt, ai i ka fituar 440 mbështetës. Në fund të muajit të kaluar, zëvendëskryetarja Tatyana Makarycheva, e ka dorëzuar një përgjigje, duke refuzuar thirrjet për largim, me arsyetimin se baneri “mbron tokën amë, njerëzit dhe traditat tona”.
Ajo ka paralajmëruar edhe kundër “deklaratave negative” për simbolin Z, duke thënë se ato mund të ndiqen sipas ligjit që dënon “diskreditimin e forcave të armatosura”. Mirëpo, lufta për ta larguar banerin me shkronjën Z nga teatri “nuk ka përfunduar”, ka thënë Palko për Radion Evropa e Lirë. “Sipas planit tonë, ne jemi duke përgatitur kërkesa tjera për Zyrën e Prokurorit”. Rritja e kundërshtimeve për banerin e Irkutskut – si fushata për ta larguar banerin, ashtu edhe dëshmitë për vandalizim – shpërfaqin histori të ngjashme në Rusi, që mund të japin shenja për rritje të kundërshtimeve për luftën, që po hyn në vitin e tretë dhe nuk i shihet fundi.
Për më shumë, tani është bërë më shumë se një vit prej kur Putin pati shpallur mobilizim ushtarak, dhe e ka afruar luftën direkt në shtëpitë e qindra mijëra rusëve. “Nuk ka pasur mbështetje të thellë për këtë luftë, qysh prej fillimit”, ka thënë Aleksei Ivanov, banor në qytetin Siktivkar, i cili ka ikur nga Rusia pasi është përballur me akuza penale pse e ka quajtur një zyrtar policor, “fashist”, gjatë një proteste të vogël kundër luftës, të mbajtur në shkurt të vitit 2022. “Unë vetëm e kam parë simbolin Z në makinë, në mesin e prillit të vitit 2022. Atëherë ka pasur rrëfime të njerëzve që simbolet ua kanë vënë edhe në goma të makinave. Prej fillimit e kam parë që nuk ka pasur mbështetje të madhe për luftën. Prandaj, ky lajm nuk më befason.
“Një prej rrugëve më pak të rrezikshme”
Për më shumë se një vit, 17-vjeçari Yevgeny Fokin, është duke zhvilluar një fushatë për t’i detyruar autoritetet që ta largojnë banerin me shkronjën Z nga hapësirat publike të qytetin Siberian, Novosibirsk.
Në fund të majit të vitit 2022, ai ka arritur t’i bindë autoritetet komunale që ta largojnë banerin, me arsyetimet se ato i shkelin rregulloret e qytetit për reklamim. “Pas banerit të parë, një version i ri është shfaqur në ndërtesën e njëjtë”, ka thënë Fokin për Radion Evropa e Lirë. “E kam shkruar një ankesë të dytë për administratën, duke thënë se baneri, sërish, nuk përkon me standardet e qytetit dhe duhet të largohet patjetër”.
Për çudinë e Fokinit, edhe baneri i dytë është hequr. Qysh atëherë, ai vlerëson se ka arritur t’i heqë edhe 10 të tilla prej ambienteve publike, duke e lënë këtë qytet pa shumë simbole që lexohen si përkrahje për luftën e Rusisë në Ukrainë. “Situata me banerë është shumë më e mirë, tani nuk ka mbetur pothuajse asnjë”, ka thënë ai. “Ata nuk janë duke vendosur banerë që i shkelin standardet arkitekturore dhe ata që janë larguar nuk janë vendosur më. Të vetmit që kanë mbetur janë ata që janë vendosur në hapësirat zyrtare për reklamim. Shenjat Z janë larguar prej pjesës më të madhe të tramvajeve. Disa janë ende nëpër autobusë”.
Fokin ia atribuon suksesin e tij faktit se pak pas nisjes së fushatës së tij, ai është punësuar si asistent për anëtaren e pavarur në Këshillin e Qytetit Novosibirsk, Svetlana Kaverzina. “Kur një zëvendës kërkon, zyrtarët janë të detyruar të përgjigjen”, ka thënë Fokin. “Plus, ata e din se zëvendësi mund të konfirmojë çdo informacion që ofrojnë, dhe të bëjë zhurmë, nëse është e nevojshme”. Në prill, studentët e Universitetit shtetëror të Artit dhe Arkitekturës në Jekaterinburg, qytetit të katërt më të madh të Rusisë, kanë nisur të mbledhin nënshkrime për një peticion për ta larguar simbolin Z prej një fasade të objektit të tyre.
Disa persona të paidentifikuar e kanë dëmtuar simbolin me ngjyrë të kuqe. Pas mbledhjes së mbi 600 nënshkrimeve, zyrtarë të universitetit i kanë marrë në pyetje dy organizatorët dhe kanë kërkuar që të nisin një “sqarim” me shkrim në Komitetin kundër-ekstremizmit të Ministrisë së Brendshme, sipas një raporti të mediumit Madiazona, në korrik. Ata kanë refuzuar të veprojnë ashtu, dhe dekani u ka thënë më vonë që baneri do të vazhdojë të jetë ku ka qenë. Tetë muaj më vonë, baneri është larguar, pa ndonjë sqarim. Mediazona ka dokumentuar raste të ngjashme edhe në qytetet ruse Perm, Jarosllav dhe Shën Petersburg. “Shpresoj që njerëzit që lexojnë postimet e mia në rrjetet sociale, dhe publikimet e mia, do të shkruajnë gjithashtu”, ka thënë banori i Shën Petersburgut, Aleksei Lakhov, i cili ka bërë fushatë kundër simbolit Z.
“Mendoj se është e rëndësishme që ta përdorim këtë rezistencë në heshtje, sepse është një prej rrugëve më pak të rrezikshme”. Më 17 nëntor, udhëheqësi i Republikës Komi, Vladimir Uiba, është ankuar në kanalin e tij në Telegram se në rajonin e tij shihen shumë pak simbole patriotike, pro luftës. “Kam urdhëruar të gjitha agjencitë shtetërore që t’i mbështesin djemtë tanë dhe t’i shfaqin këto slogane”, ka shkruar ai. “Mirëpo kompanitë e transportit më tregojnë se nuk mund të bëjnë atë gjë. I pyes, pse? ‘Dikush mund të t’i thyejë dritaret’. Kjo nënkupton se djemtë tanë janë duke vdekur, dhe ne frikësohemi nga thyerja e dritareve”.
Unanimitet i plotë?
Duke marrë parasysh kufizimet në zgjedhje dhe faktin që rusëve u është kërkuar të kenë kujdes kur bëjnë deklarata publike, është e vështirë të kuptohet niveli i mbështetjes publike për luftën në Ukrainë. Sipas Qendrës Levada në nëntor, 67 për qind e rusëve kanë thënë se shteti i tyre “po lëviz në drejtimin e duhur”, dhe 85 për qind e përkrahin presidentin rus, Vladimir Putin. Në tetor, Levada ka thënë se 76 për qind e rusëve, ose e “mbështesin” ose “tentojnë ta mbështesin” luftën, dhe vetëm 16 për qind kanë thënë se e “kundërshtojnë” ose “tentojnë ta kundërshtojnë” atë.
Megjithatë, kur në tetor Levada i ka pyetur qytetarët se çfarë kanë në mendje kur thonë se Rusia po lëviz në drejtim të duhur, vetëm 14 për qind e kanë përmendur “operacionin special ushtarak”, shprehje që përdor Kremlini për luftën në Ukrainë. Për dallim prej të parëve, 45 për qind e qytetarëve që kanë thënë se Rusia po lëviz në drejtim të gabuar, e kanë përmendur luftën në Ukrainë, dhe shumë aspekte tjera si shkas për shqetësim.
Ndërkohë, familjet e ushtarëve të mobilizuar rusë, i kanë rritur protestat brenda shtetit në javët e fundit. Një tjetër kanal në Telegram, dokumenton shumë raste të shprehjes së pakënaqësisë në heshtje, duke përfshirë sloganet kundër luftës, të shkruara në monedha, ose në borën e saporënë në tokë, apo përmes vandalizimit të posterëve pro luftës. “Nëse banerët me shkronjën Z vendosen kudo dhe askush nuk thotë asgjë, kjo do të thotë se Zvastika është normale”, ka thënë aktivisti nga Irkutsku, Palko.
“Mirëpo, nëse dikush është duke luftuar që ata të largohen, dhe nisen diskutime publike, kjo do të thotë se diçka po shkon keq me simbolet, që nuk ekziston unanimitet i plotë”. “Kjo luftë i bën njerëzit, që nuk e pranojnë luftën, që ta kuptojnë se nuk janë vetëm. Të tjerët i shtyn që të mendojnë”.