Milani i Stefano Piolit po kalon një edicion me shumë luhatje, teksa i mungon ritmi si në kampionat ashtu dhe në arenën ndërkombëtarë në Champions League.
Për t’i ardhur në ndihmë kuqezinjve, Zlatan Ibrahimovic do të rikthehet për të tretën herë. Suedezi, i cili vari këpucët në gozhdë qershorin që lamë pas, është gati për rikthimin në Milano.
Këtë herë si këshilltar i pronarit Gerry Cardinale. 42-vjeçari do të jetë një partner operacional i fondit RedBird. Ish-sulmuesi ka një raport të shkëlqyer me trajnerin Pioli.
Ndërkohë që gëzon respektin e lojtarëve në dhomat e zhveshjes. Misioni i radhës është të bëjë urën lidhëse mes skuadrës, trajnerit dhe bordit drejtues.
Ibra ka fituar dy herë titullin kampion me Milanin si futbollist, ndërsa tani duket se është gati për të veshur kostumin e zyrtarit.