Një fitore e madhe, një fitore me përmbysje që i jep Romës vendin e katërt në Serie A. Ekipi i Jose Mourinho-s mposhti Sassuolo-n me rezultatin 1-2, një sfidë me shumë raste për shënim, por diferencën e bëri një lojtar që erdhi nga stoli, Kristensen, me danezin që fitoi një penallti dhe realizoi golin e fitores. Me Bajramin në stol, Sassuolo e nisi mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh në minutën e 25-të. Në pjesën e dytë, në minutën e 63-të, Sassuolo ngeli me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Boloca. Në të 76-tën, Roma fitoi një 11-metërsh ndërsa nga pika e bardhë e penalltisë, Dybala u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 1-1.

Në të 82-tën, goditja e Kristensen gjeti devijimin me fat duke përfunduar në rrjetë. Nuk mund të mungonte në këtë sfidë as protagonizmi i Jose Mourinhos, fillimisht duke u kapur me Berardin ndërsa në konferencë për shtyp befasoi jo pak duke folur portugalisht, kjo pasi për të fjalët e tij keqkuptohen, nuk ka një italishte të qartë. Pas javës së 14-të të Serie A, klasifikimi kryesohet nga Inter me 35 pikë, Juve 33, Milan 26 dhe Roma 24 pikë, po aq sa edhe Napoli.