Stefano Pioli rrezikon shkarkimin. Milani pret Sassuolon në “San Siro” në datën 30 dhjetor. Sfidë që duhet fituar me çdo kusht për t’u rikthyer te tri pikët dhe për të shpëtuar trajnerin.
Pozitat e Piolit janë lëkundur shumë dhe Sassuolo është shansi i tij i fundit. Oshilacione në rezultate, mungesë e një stili të qartë loje dhe shumë dëmtime. Drejtuesit e kuqezinjve po e humbin durimin dhe aventura e Piolit, i cili nuk ka më as mbështetjen e tifozëve, është drejt fundit.
Por ka edhe një mundësi kundër skuadrës emiliane. Me Sassuolon që ka “fikur” dy trajnerë të Milanit më parë.
Ishte 12 janari i vitit 2014 kur Max Allegri shkarkohej nga Milani pas humbjes 4-3 në “Mapei Stadium” përballë Sassuolos. Falë një “pokeri” të Berardit.
Tekniku aktual i Juventusit zëvendësohej nga Clarence Seedorf, aventura e të cilit në stolin kuqezi mbyllej po pas duelit me Sassuolon.
Që edhe pse Milani fitonte 2-1 nuk mjaftoi, pasi skuadra e holandezit u la pas nga Torino, me këta të fundit që u kualifikuan në Europë.
Pioli është i paralajmëruar. Pavarësisht krizës së rezultateve, Sassuolo është një skuadër që transformohet kur zbret në mitikun “San Siro”.