Ish-agjenti i FBI-së është dënuar me më shumë se katër vjet burg, pasi u deklarua fajtor për ndihmën e një oligarku rus që kërkonte të hiqej nga një listë sanksionesh amerikane.
McGonigal është një nga agjentët më të lartë të FBI-së që është akuzuar ndonjëherë për një krim. Ai u deklarua fajtor në gusht për një akuzë për komplot për pastrim parash dhe akuzohet gjithashtu se ka fshehur 225,000 dollarë në pagesa nga një agjent shqiptar, ndërsa punonte ende për FBI-në.
Prokurorët kishin kërkuar pesë vjet burg për çështjen e Nju Jorkut, ndërsa McGonigal nuk kishte kërkuar kohë pas hekurave. McGonigal ishte agjenti special i ngarkuar me divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork përpara se të tërhiqej nga detyra në vitin 2018. Në atë rol, ai kishte për detyrë të hetonte oligarkët rusë.
Prokurorët thonë se ai dhe ish-diplomati rus Sergey Shestakov kanë shkelur sanksionet e SHBA-së duke rënë dakord t’i ofrojnë shërbime miliarderit dhe industrialistit rus Oleg Deripaska. SHBA e sanksionoi Deripaskën në vitin 2018 pasi e akuzoi atë dhe disa oligarkë e zyrtarë të tjerë rusë për “aktivitet keqdashës në mbarë globin”.
Prokurorët pretenduan se dy burrat ranë dakord të ndihmonin zotin Deripaska për të hequr sanksionet e tij. Ata premtuan gjithashtu se do të hetonin oligarkun rival të Deripaskës, Vladimir Potanin.