Nga Ylli Pata/
Ndërsa Sali Berisha me Gaz Bardhin i djegin karriken në Parlament, Lul Basha dërgon foto nga SHBA-ja, me politikanë të rëndësishëm, apo në Europë, me autoritete të BE-së apo qeverive perëndimore.
Një pantonimë, e cila në opinion, sidomos në atë pjesë që janë mbështetës apo aktivistë në opozitë, duket si bosh, e pamjaftueshme, e natyrisht e ngathët.
Ish-Presidenti Bamir Topi, i cili prej vitesh ka qenë kritik edhe ndaj Lulzim Bashës, në një intervistë të fundit pati një qëndrim paksa më të ndryshëm.
Përveçse e veçoi kreun aktual të PD-së si një “mëkatar i falshëm”, dha edhe një këshillë për Lulzim Bashën. “Po ta këshilloja, do t’i thoja që të jetë çdo natë nëpër studio televizive me shumë gazetarë që të nisë një aksion real politik”, tha Topi. Që sipas gjasave, me këtë mënyrë gjuhe tregonte se ka komunikim me Bashën, ose në mos komunikim një tangecialitet politik me anë të njerëzve që shërbejnë si enë komunikuese.
Këshilla e ish-presidentit, që është një politikan me përvojë e i njohur i së djathtës, në fakt përbën thembrën e akilit të qëndrimit të përgjithshëm që vjen nga publiku opozitar. Që më në fund Lulzim Basha të dalë në mejdan e të përballet me Sali Berishën, e të gjithë ata që nuk janë rivalë të tij, por pengues në rrugën politike.
Si Bardhi, si të tjerët që janë nën hyqmin e ish-sekretarit të përgjithshëm të PD-së, nuk pranuan që ta rivalizojnë Lulzim Bashën në votimin e anëtarësisë që u zhvillua në korrikun e këtij viti. Qoftë edhe duke kërkuar qartazi rregulla të tjera loje, apo fakte bindëse se lista që votoi më 29 korrik ishte e trukuar.
Nuk dhanë fakte bindëse për këtë, sepse nuk kishin. Ajo anëtarësi që ka mbetur në PD natyrisht që nuk do të votonte Gazmend Bardhin, pasi ai ndaloi partinë të hynte në zgjedhje më 14 maj, si dhe mbështeti hapur kandidatët e foltores.
Duke vulosur kështu qartë kalimin e rreshtimin në partinë e Sali Berishës, e cila nuk është formalizuar dhe ka përdorur dy herë vulën e Ilir Metës për të hyrë në zgjedhje.
Në këtë logjikë, dalja e Bashës në fushë, e sfumon menjëherë grupin tjetër edhe pse ai është më numerozi. Fuqia potenciale e 40 deputetëve të Bardhit në Kuvend, është si pesha specifike e 19 deputetëve të LSI-së në Parlamentin e 2017-s. Praktikisht zero. Vetëm nëse ata, pra deputetët e Bardhit bëhen faktorë në Kuvend, në ndonjë reformë kushtetuese apo elektorale me mazhorancën, pasi kanë sigurinë më të madhe për të garantuar kuorumin final.
Por këtu, grupi i Bardhit nuk ka asnjë ide për reformën e re të modelit zgjedhor apo të administrimit të zgjedhjeve. Kjo sepse, atje komandon doktori, e nuk i lë hapësirë për të dhënë një draft apo model. Ai ka zgjedhur zjarrin, luftën e karrikeve e përplasjen me mazhorancën, të paktën deri në një vendim të ardhshëm të Gjykatës Speciale.
Ndaj, taktika e Berishës dhe Bardhit, për një kohë të gjatë, ka për të qenë ndalimi me çdo mënyrë, me çdo mjet, lejimi i uljes së Lul Bashës nga avioni në politikën vendore këtu.
Pasi Basha, ka dy karta të rëndësishme në dorë, që nëse shtrohen bëhen menjëherë lajm por edhe përfshijnë pjesën më të madhe të debatit politik. Ai ka në dorë paketën e tij për reformën kushtetuese, ku ka shumë gjasa që të ketë diskutuar edhe me partnerët ndërkombëtarë për këtë, por më e rëndësishmja është karta tjetër, ajo më e reja fare.
Që është edhe shkaku se përse Gaz Bardhi, Jorida Tabaku, e një pjesë e madhe e deputetëve janë larguar dhe prishur keq me Bashën.
E kjo nuk është gjë tjetër veçse shpallja ose lançimi i një elite të re politike të Partisë Demokratike, që vjen nga degët e saj në të gjithë vendin. Njerëzit që udhëhoqën dhe kryen rezistencën e fortë ndaj Sali Berishës, e u vunë në krye të një beteje të fortë politike, tani presin promovimin e tyre, e nisjen e një stine të re politike për të dalë në treg. Kohë nuk ka më, pasi zgjedhjet janë te porta.
Gjasat janë që kjo të ndodhë në janar, por gjithsesi 2B-të kanë edhe ata skenarin e tyre për t’ja djegur tryezën ku do t’i shpallë. Ndaj, duket e pakuptueshme pritja, kur njerëzit që i dhanë Lul Bashës mundësinë për të rinusëruar, kanë të drejtë të presin të dalin në shesh. Janë ata që do ta marrin në dorë luftën me grupin 2 B. E atëherë do të ishte interesante shumë politika, e opozita realisht do të merrte nismën e debatit, pa zjarr e kapsolle./ Tema/