Prokuroria Publike e Maqedonisë njoftoi se sot në periferi të Shkupit u gjet trupi i pajetë i të miturës V.GJ., e cila ishte raportuar si e zhdukur më 27.11.2023, kurse në periferi të Velesit trupi i pajetë i R.ZH., 74 vjeçar, nga Velesi, i cili më datë 24.11.2023 u raportua si i zhdukur.
Sipas njoftimit, në lidhje me të dyja rastet dyshohet për përfshirjen e pesë personave, nga të cilët për tre kërkohet masa e paraburgimit, njëri ndodhet jashtë vendit, ndërsa një person aktualisht ndodhet në stacionin e policisë, Gazeta Express.
Më herët në fshatin Brazda të Shkupit ishte gjetur vetura e parukierit 74 vjeçar nga Velesi, Pançe Zhezhovskit, e cila ishte djegur plotësisht. Raportin për zhdukjen e tij e ka bërë e bija, e cila ka deklaruar se babai i saj nuk ka pasur probleme shëndetësore dhe të gjithë ishin të shqetësuar sepse nuk ka ndodhur më parë të mos e dinë se ku është Zhezhovski.
Nga veprimet hetimore është konstatuar se të dy vrasjet janë kryer nga të njëjtët persona, motivi i të cilëve ishte “ekploatim”. Gjithashtu, nga masat operative të ndërmarra është konstatuar se e mitura V.GJ. u mor me makinë në hyrje të vendbanimit të saj, dhe nga informacionet e siguruara gjatë hetimit u konstatua se ajo u vra të njëjtën ditë rreth orës 10:00.