Pas izolimit të Sali Berishës me masë arresti, ajo që pritet me interes është si do të funksionojë Partia Demokratike në të ardhmen? A do ta motivojë kjo masë arresti këtë parti për t’u organizuar dhe bashkuar? Sa janë gjasat që katër grupimet në këtë parti të funksionojnë në atë mënyrë që PD të bëhet parti e fortë dhe e besueshme? Dhe a mund të shërbejë arresti i Berishës për një bashkim të madh të partisë? Një parashikim për të ardhmen e PD-së që nuk duket optimiste.
Nga Roland Qafoku
Viti 2023 me sa duket do të mbyllet me ngjarjen më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare në këto 33 vjet. Sali Berisha, politikani që e dominoi politikën në më shumë se 3 dekada duke qenë 2 herë president dhe 2 herë kryeministër, do jetë nën një masë sigurie, më e mundshmja arrest në shtëpi. Përtej diskutimeve, debateve dhe replikave juridike për këtë proces, paralel me ecurinë e hetimit dhe gjykimit të tij, ka edhe një çështje akoma më të rëndësishme se ajo personale e Sali Berishës që është e ardhmja e Partisë Demokratike. Aktualisht Shqipëria politike vlerësohet me opozitën më të dobët që ka patur ndonjëherë që nga vendosja e pluralizmit në vitin 1990. Dhe kjo ka sjellë për herë të parë në vend një situatë nga më absurdet ku nga njëra anë qeveria ka ulje të theksuar të besimit në popull, por e keqja është se kjo nuk përkthehet se ky besim i është atashuar opozitës. Besimi ndaj opozitës është akoma më i ulët se ai ndaj qeverisë dhe në këtë mënyrë çështja e Partisë Demokratike i kalon caqet e kësaj partie dhe tashmë është një çështje kombëtare. Në situatën kur Sali Berisha do të jetë nën këtë masë sigurie, në situatën kur partia, pavarësisht disa reagimeve të sforcuara, pothuajse është shpartalluar, në situatën kur grupimet e tjera edhe janë edhe nuk janë në mbështetje të Berishës, Partia Demokratike në fakt e ka një shans të madh për t’u ringritur. Por a është dhe a mund të shërbejë masa e arrestit në shtëpi motivi që kjo parti të ngrihet? A mund të jetë tharmi kjo masë arresti që do të motivojë demokratët të bashkohen, të organizohen dhe të ngrihen për të ndikuar dhe diktuar në politikë? Ti marrim me radhë.
Me masën e arrestit ndaj Sali Berishës, disa bëjnë analogji me rastin e Fatos Nanos, i cili u arrestua më 30 korrik të vitit 1993 dhë që bëri 1516 ditë burg deri në 13 mars 1997 dhe pavarësisht atij izolimi ai e drejtoi Partinë Socialiste nga qelia. Dhe jo në ndonjë burg luksi në Tiranë, por nga një qeli në Burgun e Bënçës në Tepelenë. Sa e sa letra shkroi Nano nga burgu për kryesinë dhe forumet e PS-së dhe i shpërndau në atë kohë me korrier Pandeli Majkon. Sa e sa zhvillime pati në këtë parti pikërisht nga ato që shkruhej në ato letra. Sa e sa shkundi partinë Fatos Nano pikërisht nga qelia e tij me ato letra. Sa e sa e ndihmoi dhe ndikoi ajo mënyrë në riformatimin dhe riorganizmin e PS dhe sa e sa ngjarje politike u pasuan po nga ato që udhëzonte Nano nga qelia apo deklaronte në ato pak intervista që e morën gazetarët e asaj kohe. Por sot nuk mund të bëjmë kurrë një krahasim të tillë. Statusi i Sali Berishës dhe arrestimi tij është stil luksi përballë asaj të Fatos Nanos 30 vjet më parë dhe situata politike të asaj kohe as që krahasohet me sot. Por vlen të përmendet vetëm një fakt. Që vërtetë PS kishte liderin dhe kryetarin e saj në burg, por ama ishte një parti solide, e organizuar dhe me struktura të trashëguara që nga koha e komunizmit. Sot PD është përballë ekzistencës së saj. Është një parti e asfiksuar, e ndarë dhe copëzuar dhe palët janë gjithnjë e më larg njëra-tjetrës. Si e tillë, Partia Demokratike ka dhe do ta ketë shumë herë më të vështirë organizimin dhe ngritjen e saj në situatën e re. Por çështja kryesore është si do të sillen grupet që e përbëjnë këtë parti me Sali Berishën të izoluar në shtëpi.
Grupi i parë është ai i Partisë Demokratike zyrtare që zotëron vulën. Nëse i pyet një e nga një anëtarët e këtij grupi, nuk është se duken të lumtur me Berishën me masë arersti. Por, ama janë të kënaqur që drejtuesi i Rithemelimit është i izoluar dhe nuk do të ketë mundësinë për të kryer një aktivitet politik normal. Lulzim Basha vërtetë nuk mori pjesë në seancën e të enjtes kur u votua kërkesa për dhënien e lejes për SPAK për arrestimin e Berishës, por nga ana tjetër e ruan zemërimin për të gjithë ato që Berisha ka bërë dhe ka thënë që nga koha kur u shpall non grata. Ndërkohë, duket sikur me këtë situatë ka një hapësirë dhe mundësi të madhe për ta rritur partinë, për të qenë ai tashmë lideri dhe drejtuesi real i saj. Dhe mungesa e Berishës në pamje të parë duket se do t’ia japë këtë mundësi. Por a mund ta arrijë Lulzim Basha të rrisë partinë dhe grupin e vet me Berishën në arrest shtëpie? Pak gjasa ka të ndodhë kjo. Ai e drejtoi partinë për 9 vjet dhe nuk qullosi gjë. Madje, situata e nderë në të cilën ndodhet kjo parti, ka faktor përgjegjës dhe autor kryesor pikërisht Lulzim Bashën. Arsyeja e madhe sipas tij se “nuk më la Berisha ta drejtoja më mirë PD-në” nuk pi më ujë. Në këtë mënyrë, siç dështoi me Berishën pranë, Lulzim Basha nuk mund ta arrijë kurrë të ketë sukses me Berishën në arrest shtëpie. Të qenit lider politik është një talent të cilin ose e ke, ose nuk e ke. Dhe Lulzim Basha në 9 vjet e vërtetoi se nuk e kishte duke shpërdoruar një rast të artë për vete dhe për PD-në. Ai ishte kryetar i saj, por kurrë nuk u bë lider. Prej tij nuk mund të pritet që të riorganizojë, drejtojë dhe ngrejë këtë parti se tashmë Berisha i ka duart e lidhura. Rjedhimisht, grupimi i tij nuk mund të arrijë as ta bashkojë e as të rrisë Partinë Demokratike zyrtare të bëhet e madhe. Thjesht ai do vegjetojë me atë partizën e tij të vogël duke shtrënguar fort në xhep vulën, për arsyen e të cilës i ka humbur prej kohës vula morale.
Grupi i Rithemelimit në situatën që po ndodh në pamje të parë duket si më i avantazhuari. Me Sali Berishën në arrest, ai ka një “casus” të fortë për t’u motivuar. Por pyetja e madhe është a mund ta arrijë këtë? Edhe ky grupim ka gjasa të dështojë në këtë drejtim. Protestat e ditëve të fundit kishin një pjesëmarrje shumë të ulët edhe pse Berisha e quante të lartë. Fryma e protestës ishte shumë e dobët edhe pse Berisha deklaronte se po rezistonin si luanë. Prej tyre opinioni publik kuptoi se këto protesta ishin edhe si një provë se ç’pritet të bëhet kur Berisha të jetë i izoluar. Pak gjasa ka që idhtarët të tjerë t’u shtohen radhëve. Rrjedhimisht as ky grupim nuk besohet se do të arrijë ndonjë zhvillim të atillë që do të çudisë Partinë Demokratike, por edhe politikën mbarë.
Grupimi i tretë, ai i Gazmend Bardhit, janë edhe më të koklavitur në të ardhmen e tyre politike. Ata edhe janë, edhe nuk janë me Berishën. Nuk lënë karrige pa përmbysur në sallën e seancave plenare bashkë me Rithemelimin, por nuk marrin pjesë në protesta në mbështeteje të Berishës. Janë në aksion me Rithemelimin dhe në unison me Berishën në sallën e parlamentit, por nuk janë afër tyre kur përmendet SHBA dhe Britania. Epo këto pirueta vetëm një budalla nuk i kupton përse bëhen. Pa asnjë betejë politike brenda PD-së, kuptohet që ky grupim mezi pret që Berisha të izolohet, të largohet dhe ata menjëherë të zënë vendet bosh. Thjesht ata presin dhurata si ato të Babagjyshit të Vit të ri. Kjo lloj sjellje ka vetëm një të ardhme, dështim.
Grupi i katërt është edhe më rëndë se të tjerët. Janë indiferentët romatikë që rrinë dhe vështrojnë se ç’po ndodh dhe i kanë dhënë të drejtën vetes të sillen me një status të quajtur “mbi palët”. Po kujt i vlen kjo indiferencë, distancim dhe mospjesëmarje në ngjarjen më të rëndësishme politike që po kalon kjo parti prej dy vjetësh. Deputetët si zonja Jorida Tabaku dhe të tjerë që janë zgjedhur me votat e popullit për të bërë politikë nuk duken dhe nuk sillen si të tillë, por vetëquhen “asnjanës” në mënyrë që të duken mirë e bukur në sy të diplomatëve të huaj dhe me ata që i quajnë të pozicionuar me Sali Berishën apo me Lulzim Bashën.
Pas kësaj panorame dhe parashikimi vijmë në konkluzionin se izolimi në arrest shtëpie i Sali Berishës realisht mund të krijojë një situatë tjetër politike në Shqipëri. Një personalitet si Sali Berisha i izoluar nuk është një lajm i mirë për politikën dhe Shqipërinë. Është në arrest ai që dominoi këtë politikë për 33 vjet. Por, gjithsesi, pak gjasa ka që pikërisht kjo situatë mund të prodhojë një politikë të tillë që të motivojë dhe shërbejë për riformatimin dhe bashkimin e opozitës. Që nga zgjedhjet e 25 prillit 2021 Partia Demokratike nuk po e merr veten dhe gjasat janë që as izolimi i Sali Berishës nuk do të shëbejë që ajo të ndryshojë. Berisha do të jetë në izolim, por Partia Demokratikle do të vazhdojë të jetë në udhëkryq. Në këto kushte, e vetmja shpresë janë të rinjtë brenda kësaj partie që duhet të organizohen për të menduar për të ardhmen e partisë. Organizimi dhe riformatimi i PD për një rithemelim real mund të bëhet vetëm nga të rinj dhe të reja që kanë idealizëm dhe jo interesa të vockla dhe qëllime personale sa për të patur emrin në pozicion të sigurtë në listën e kandidatëve në mënyrë që të bëhen deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Deri tani nuk kemi parë asnjë tendencë të tillë. Situata është vërtetë e vështirë, por mundësitë janë. Edhe me Sali Berishën në arrest shtëpie.