Një stuhi e fuqishme u përplas në Gjermani, duke shkaktuar dëme të mëdha, sidomos ne veriun e vendit.
E pagëzuar me emrin “Zoltan”, stuhia shkaktoi probleme të mëdha të shërbimeve hekurudhore, ndërsa lëvizja e anijeve në zonë u ndërpre. Agjencia Federale Detare dhe Hidrografike lëshoi paralajmërime për një përkeqësim të rrezikshëm të situatës në Hamburg, si dhe në rajonet bregdetare në Detin e Veriut dhe atë Baltik.
Niveli i ujit, sipas autoriteteve i kalon tre metra mbi nivelin normal të ujërave në rast rreziku të përmbytjes. Policia paralajmëroi njerëzit të mos qëndrojnë në zonat e rrezikuara.
Për shkak të Zoltanit, në mjaft lande gjermane tregjet tradicionale dhe të shumëpritura të Krishtlindjeve u mbyllën, ndërsa në trafikun hekurudhor pati ndërprerje e vonesa të mëdha, si dhe anulime të disa udhëtimeve më të gjata. Raportohet po kështu edhe për të lënduar. Në landin Renani Veriore-Vestfali, ekipet e shpëtimit kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë natës për shkak të dëmtimeve në rrugë, automjete, rënie pemësh etj.
Në landin Saksoni-Anhalt ka pasur dëme të konsiderueshme dhe dy të plagosur, ndërs landin Shlezvig-Holshtajn një person u plagos rëndë pas përplasjes së automjetit të tij me një pemë të rrëzuar në rrugë. Në Hesen sakaq, autoritetet lokale njoftuan se dëmet e shkaktuara nga stuhia, kapërcejnë 130.000 eurot.