Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi urdhër-arrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiç, në lidhje sulmin e armatosur në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës.
Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Nenad Rashiç, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Ai tha se urdhri është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNIMK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Meqë Kosova nuk është anëtare e Interpol-it, urdhërarrestet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.
Radio Evropa e Lirë është në pritje edhe të një komenti nga MPB-ja e Kosovës.
Çka ndodhi në Banjskë?
Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovës.
Radoiçiç u mor në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në muajin tetor dhe u ngarkua me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi, por ia konfiskoi dokumentet.
Përmes një letre publike të lexuar nga avokati i tij më 29 shtator, Radoiçiç tha se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.
Ai mohoi përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë në sulm./REL