Tifozët e Barcelonës mezi kishin pritur që Pedri të rikthehej në formën e tij pas dëmtimit të pësuar, por tashmë duhet të presin akoma edhe më shumë. Këtë javë ai i ishte rikthyer stërvitjes për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës ndaj Almeria, por u largua nga kampi stërvitor për shkak të një tjetër shqetësimi dhe nga mediat vendase raportohet se ai do të mungojë të paktën tre javë.
Të mërkurën në mbrëmje, duket se dy nga Fermin Lopez, Oriol Romeu dhe Sergi Roberto do të bashkohen me Gundogan në mes të fushës, ndërsa De Jong është i pezulluar.
Përveç ndeshjes kundër Almerias, Pedri pritet të mungojë në ndeshjet kundër Las Palmas dhe Barbastro në Kupën e Mbretit. Prania e tij në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës kundër Osasuna në Arabinë Saudite është gjithashtu një dyshim i madh.