Futbolli spanjoll vazhdon të mbaj zi për vdekjen e tifozit të Granadës në tribunat e “Los Cármenes” në fundjavë, kur skuadra e tij Granada po luante kundër Athletic Bilbao në La Liga. Ndeshja u ndërpre në minutën e 18-të pasi gjyqtari u njoftua për një urgjencë mjekësore. Pas më shumë se gjysmë ore përpjekje për ta stabilizuar, vdekja e tifozit u konfirmua në stadium. Disa orë më vonë u bë i ditur identiteti i viktimës. Ai quhej Antonio, ishte 64 vjeç dhe “do të kishte nënshkruar të vdiste në Los Cármenes”, thotë e veja e tij mes lotësh.
“Burri im do të kishte pranuar të vdiste në Los Cármenes… sigurisht,” komentoi Nuria Aguilar për gazetën Ideal, për Antonio Trujillo Izquierdo, 64 vjeç, të cilin shërbimet e urgjencës u përpoqën ta rikthenin në jetë, por pa sukses pasi pësoi arrest kardiak në tribunat e stadiumit. Antonio u diagnostikua me kancer majin e kaluar dhe gruaja e tij i tha se do të luftonte me gjithçka deri në fund, siç thotë motoja e ekipit të tij, Granada: ‘Lufta e përjetshme’.
“Nëse nuk do ta kisha parë mirë në mëngjes, nuk do ta lija të ikte. Në fakt, djali im Antonio, i cili është mjek, na tha se po të ishte aq mirë sa thoshte nuk kishte asnjë problem që të shkonte. Burri im do të kishte nënshkruar të vdiste në Los Cármenes… sigurisht. Ai tha se, si Granada, do të luftonte derisa të vdiste. ‘Lufta e përjetshme’, a nuk thotë kështu?”, tha e veja e Antonios. Në vijimin e lojës një ditë më vonë, kapitenët e të dyja skuadrave vendosën lule në vendin e tij, që mbante numrin 892 dhe ishte i abonuar prej disa vitesh.