Policia e Vlorës ka goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje ndërsa ka vënë në pranga një 61 vjeçar. Arrestimi i tij u bë i mundur pas zbulimit të një magazine në lagjen “Bashkimi”, në të cilën u gjetën armë zjarri, municion luftarak dhe 1 mjet prerës thikë.
Nga verifikimet ka rezultuar se 61-vjeçari është babai i njërit prej shtetasve të arrestuar më parë nga Policia e Vlorës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Obelisk”, si rezultat i të cilit u parandalua një ngjarje e mundshme kriminale kundër personit, e cila do të kryhej me armë zjarri.
Arma e zjarrit dhe municioni luftarak, së bashku me mjetin prerës thikë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.