Adrien Rabiot nuk është në negociata për rinovimin me Juventusin. Diçka të tillë e ka zbuluar nëna e mesfushorit francez, Veronique, e cila është njëkohësisht dhe menaxherja e tij. Edhe pse në mediat italiane u përfol se ish-lojtari i PSG-së po diskuton me “Zonjën e Vjetër” për të ardhmen, këto zëra janë përgënjeshtruar nga përfaqësuesja e lojtarit.
“Unë mohoj lajmet në lidhje me rinovimin e kontratës së Adrienit me Juventusin. Ai nuk ka marrë asnjë vendim për të ardhmen e tij, është i fokusuar vetëm te fusha. Për momentin nuk kemi diskutime me asnjë klub. U zemërova mëngjesin e së enjtes kur zbulova lajmin në faqen e parë dhe një artikull, që nuk është gjë tjetër veçse një shpikje totale gazetareske“, deklaroi nëna e 28-vjeçarit.
Rabiot ka kontratë deri në qershorin e vitit të ardhshëm. Bardhezinjtë rrezikojnë ta humbasin me parametra zero. Mesfushori është një nga elementët më të rëndësishëm tek ekipi i Max Allegrit, teksa ka luajtur në 14 ndeshje në kampionat, teksa numëron 2 gola dhe 3 asiste.