Një gjel i ri i artë me krahë feniksi zbukuron tashmë majën e katedrales më të famshme në botë, asaj të Notre Dame, e cila u dogj në 2019-tën.

Vendosja e tij përbën një moment të rëndësishëm në restaurimin e godinës së listuar nga UNESCO, por ka edhe një simbolikë mjaft të fortë: ashtu siç rilindi feniksi nga hiri i tij, ashtu po rimëkëmbet edhe monumenti i famshëm, që pësoi dëmtime jashtëzakonisht të mëdha pas zjarrit gjigant të disa viteve më parë.

Përpara se të vendosje në majën e katedrales 96 metra të lartë, feniksi u bekua nga kryeipeshkvi i Parisit, Laurent Ulrich. “Krahët e zjarrit” të gjelit të ri janë një kujtesë se “katedralja mund të rilindë nga hiri i saj, si një feniks”, tha Philippe Villeneuve, një nga arkitektët kryesorë të katedrales dhe projektuesi i gjelit të ri.

Figura thuhet se përmban një fragment të kurorës me gjemba të Krishtit, eshtrat e Saint Denis dhe Saint Genevieve, si dhe një listë të 2000 njerëzve që punojnë për të rindërtuar katedralen Notre-Dame. Sipas Villeneuve, gjeli i vjetër, edhe pse shumë i dëmtuar për t’u përdorur përsëri, u shpëtua nga zjarri i vitit 2019, dhe kjo i dha shpresë komunitetit.

Gjeli përfaqëson rikthimin e ditës dhe është një simbol i përdorur zakonisht në Francë, veçanërisht si shenjë e ringjalljes së Krishtit. Planet janë katedralja të rihapë dyert në 8 dhjetor 2024, dhe për këtë rast, presidenti Emmanuel Macron ka ndërmend të ftojë edhe Papa Françeskun.