Një video e postuar në mediat sociale, ka tërhequr vëmendjen po aq sa videoja ku lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un duke qarë ju kërkonte grave të lindin më shumë fëmijë, për të përballuar rënien e lindjeve në vend.

Videoja e postuar nga llogaria NK News, shfaq adhurimin e fëmijëve ndaj Kim Jong Un në një event të fundit të mbajtur si pjesë e Konferencës së 5-të Kombëtare të Nënave.

Më 8 dhjetor, udhëheqësi i Koresë së Veriut takoi, anëtarë të Shoqatës Koreane të Fëmijëve për t’u fotografuar me ta. Në pamjet e publikuara nga NK News, Kim Jong Un shihet i rrethuar nga djem dhe vajza që kërcejnë rreth tij, disa me lot emocioni në sy.

Disa ditë më parë gjatë konferencës për nënat, lideri i Koresë së Veriut bëri thirrje për përpjekje për të përballuar rënien e lindjeve në vend, siç njoftoi sot agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.