Lodhja nga nxehtësia ishte shkaku i vdekjes së fanses braziliane në koncertin e Taylor Swift, sipas raportit mjeko-ligjor. Ana Clara Benevides Machado vdiq gjatë koncertit të Taylor në Rio de Zhaneiro më 17 nëntor nga moti i nxehtë ku termometri arrinte në 40.5 gradë Celsius. Ajo ndërroi jetë në spital.

Instituti i Mjekësisë Ligjore të Rios deklaron se ekspozimi ndaj nxehtësisë çoi në një “ndërlikim serioz të mushkërive të saj dhe vdekje të papritur” ose një arrest kardiak-respirator. Tani është hapur një hetim penal për vdekjen e saj dhe përfaqësuesit e koncertit do të thirren për të dëshmuar.

Menjëherë pas incidentit tragjik që u shpalos në Estádio Olímpico Nilton Santos, fansat kërkuan që organizatorët të furnizonin me më shumë ujë koncertet në vijim. Tragjedia ishte e fortë edhe për vetë këngëtaren që shkroi një letër shumë të ndjerë ku shprehte dhimbjen për ngjarjen.