Nga Mero Baze/

Sikleti më i madh i Berishës sot, ka të bëjë me faktin se nuk ka më hapësirë për t’i ikur drejtësisë. Dhe meqë nuk i ikën dot, po përpiqet ta shijojë si betejë të fituar betejën e derisotme të pandëshkueshmërisë nga drejtësia, që nuk është se nuk i ka funksionuar këto 33 vjet.

Duke parë se SPAK kërkoi nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e tij, në burg apo shtëpi, siç e thotë fare qartë relacioni, ai së pari doli dhe tha jam dakord dhe e pranoj arrest shtëpie. Në fakt nuk i ka thënë njeri që do jetë arrest shtëpie. Mund të jetë dhe ashtu, por këtë e vendos Gjykata.

Nxitimi i tij për t’ia caktuar vetes masën e sigurisë si arrest shtëpie, është shenja e parë e thyerjes së tij. Me që nuk i shmanget dot arrestit, të paktën t’i shmanget qelisë, dhe bën sikur SPAK e ka bërë fakt të kryer që ky do jetë në arrest shtëpie. Për shkak të moshës, arrest shtëpie i takon, por fakti që ka kundërshtuar drejtësinë, është rrethanë rënduese dhe për këtë do vendosë gjykata.

Së dyti, po nxiton të zhvlerësojë masën e re të sigurisë kërkuar nga SPAK, duke e paraqitur atë si një tërheqje nga masa e parë për detyrim paraqitje, për shkak të konfliktit kushtetues. Siç e ka shpjeguar me hollësi dhe vet prokurori në relacionin e tij, masa e re, është masë që përforcon masën e parë të sigurisë, për shkak të mos zbatimit.

Pra SPAK po merr masën e dytë kundër Berishës që ka të bëjë me kërkesën për arrestim, pasi ai refuzoi të zbatojë masën e parë të sigurisë. Nuk kemi asnjë tërheqje të SPAK, përkundrazi një përforcim të masës së sigurisë pas refuzimit të përballjes me drejtësinë, duke bërë vetëgjyqësi dhe duke lexuar Kushtetutën sipas qejfit të vet.

Ka gjithë ditën sot, që shfleton Kushtetutën në faqet që dëshiron ai të shpjegojë, se ajo më parë ishte shkelje kushtetuese. Në fakt masa e parë ka qenë pikë më pikë sipas Kushtetutës dhe ndryshimeve që vet Berisha i ka votuar më 2016, në Kodin e procedurës penale. Edhe kjo është një përpjekje për t’u tërhequr “me nder” nga lufta me drejtësinë dhe një mënyrë të pranojë fatin e ri që ia ka caktuar drejtësia.

E treat, që në fakt për të ka më shumë rendësi se dy të parat, është që arrestimi i tij, e shpëton atë nga premtimi për revolucion. Tani kryerevolucionari është me “arrest shtëpie” apo dhe më keq, dhe ai ka një shpjegim për të gjithë ata që e dinin që dhe po të ishte i lirë, revolucion nuk do të kishte. Nëse e dëgjoje sot gjithë ditën, e vetmja gjë që shqiptonte i gëzuar gjoja me humor, ishte fjalia se ata po e bëjnë këtë se janë “tmerruar” nga revolucioni.

Por përvojat botërore të revolucioneve kanë treguar se burgosja e një lideri e bën dhe më të fortë revolucionin, kështu që ai nëse do ta ndihmojë revolucionin tamam, duhet të kërkojë arrest në burg dhe jo arrest në shtëpi, siç lutet gjithë ditën. Udhëheqësit e vërtetë që frymëzojnë revolucionet, i frymëzojnë duke bërë sakrifica për të. Ky deri tani ka sakrifikuar vetëm 17 kullat e vajzës, por ato e shuajnë revolucionin, nuk e ndezin. Është mirë të gjejë diçka më frymëzuese që të mos u duket demokratëve si punë plaçke, por si diçka më parimore.

Dhe e fundit, për të gjithë ata që bëjnë sikur janë me Berishën apo që nuk janë me Bashën në opozitë. Është mirë t’ia lehtësojnë vetes, dhe Berishës, këtë fazë të vështirë të përballjes me drejtësinë, duke votuar pro heqjes së imunitetit të tij. Jo se duhen votat e tyre, por se së paku kështu certifikojnë atë që e dinë të gjithë, se bashkë me njeriun që ka refuzuar drejtësinë për 33 vite, ikën dhe epoka e mos përballjes me drejtësinë.

Ata së paku të mos bëhen bashkëfajtorë me të në këtë histori. Bashkëvuajtës kanë të drejtë të bëhen. Le të shkojnë ta takojnë çdo ditë aty ku do vuajë heqjen e lirisë, se kështu së paku justifikojnë dhe mungesat në apelin e revolucionit.