Në mesin e betejës partiake mbi politikat amerikane të emigracionit që rrezikon miratimin e kërkesës së presidentit Joe Biden për fonde të reja ndihme për Ukrainën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, anuloi papritur planet t’iu drejtuar me video ligjvënësve amerikanë që të apelonte për ndihmë të mëtejshme.
Prej javësh të tëra, demokratë dhe republikanët përplasen në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve lidhur me kërkesën e Bidenit që Kongresi t`i japë dritën jeshile një paketë ndihme prej 106 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin, dhe fonde për shtimin e sigurisë në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën dhe interesat amerikane në Indo-Paqësor.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, e kushtëzoi OK-in për Ukrainën, me një “ndryshim transformues” të politikës amerikane për emigracionin. Senati i kontrolluar nga demokratët paraqiti një projektpropozim prej 110.5 miliardë dollarësh që trajton kërkesën e presidentit. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se ai do të përpiqet të thyejë ngërçin duke u ofruar republikanëve mundësinë për të shtuar një amendament për kufirin tek ligji i ndihmave për Ukrainën dhe Izraelin.
Por lideri i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, i cili foli menjëherë pasi Schumer bëri propozimin për amendamentin, deklaroi se ai do t’i nxiste republikanët e Senatit që të votojnë kundër projektpropozimit të mbështetur nga Demokratët.