Katër pacientë vdiqën ndërsa 200 u evakuun për shkak të një zjarri që shpërtheu mbrëmjen e së premtes në spitalin e Tivolit, një komunë në periferi të Romës. Mediat raportojnë se zjarri ka shpërthyer në disa dhoma të katit të dytë dhe më pas janë përhapur në urgjencë dhe reanimacion.

Sipas mediave italiane, repartet e tjera nuk janë prekur. Viktima janë dy gra, 84 dhe 86 vjeç dhe dy burra, 76 dhe 86 vjeç. Mes personave të evakuuar janë edhe shtatë fëmijë dhe një grua shtatzënë si dhe pacientë me koronavirus, të cilët ndodheshin në pavionin e parë.

Flakët janë shuar, por operacionet për sigurimin e strukturës janë ende duke u zhvilluar. Edhe repartet e tjera, të pa arritura nga zjarri, u bënë të pabanueshme për shkak të tymit që pushtoi spitalin. Nuk dihen ende shkaqet e rënies së zjarrit.