Nga Alba Malltezi
Trembëdhjetë vjet pas ekzekutimit në Bulevardin e Tiranës të 4 shqiptarëve në protestë, deri më tani vetëm një pjesë e gazetarëve e ka bërë detyrën qytetare për tregimin e të vërtetës para shqiptarëve. Një pjesë e politikës vazhdon me performanca të lavdërueshme për ta mbajtur gjallë kujtimin e të rënëve, por hapa konkretë me dëshminë e tyre para drejtësisë së re, si protagonistë dhe dëshmitarë, nuk janë kryer.
Dhe 21 janari është një ngjarje e përmasave shumëfish më të rënda se çdo aferë korruptive që po hetohet: Lehtësia e marrjes së vendimit për të qëlluar mbi trupa qytetarësh të rastësishëm nuk ka të krahasur as me aferën “Partizani”, as me aferën e “sterilizimit” apo “inceneratorëve”. Një hajdut e ka përherë dënimin më të lehtë nga një vrasës. Është e dukshme nëpër diskurse dhe beteja politike se kush kërkon ta zhvleftësojë apo të mos e përmendë ngjarjen, por herët a vonë, klesidra e kohës, është e detyruar ta risjellë në sipërfaqe.
21 janari është dita kur Shteti i shqiptarëve ra në humnerën më të zezë të ekzistencës së tij dhe mori me vete në atë humnerë ndërgjegjet e shumë bashkëatdhetarëve: politikanë, ushtarakë, gazetarë, mjekë, hetues, informaticienë, si qeliza kancerogjene të një shoqërie, aty në errësirën e honeve të asaj ngjarjeje të turpshme, nisën të zhbënin gjithë tramën e tragjedisë që ishte luajtur mu në zemër të kryeqytetit dhe në transmetim të drejtëpërdrejtë përpara dhjetëra telekamerave.
Kur punon kundër vendit tënd dhe kundër bashkëatdhetarëve të tu, hë për hë, drejtësia e viktimave nuk arrin dot në kulla të larta, dritare të blinduara, vila të izoluara të rrethuara me telekamera e badigardë të mirëpaguar. E ka të vështirë. Por meqë Universi punon përherë drejt pozitives dhe pas natës, dita është e sigurtë që vjen, edhe e vërteta herët apo vonë, nuk mund të mos dalë në sipërfaqe.
Pas gazetarëve, (Fatos Mahmutajt, reporterit të plagosur e të përndjekur), që treguan atë që ndodhi, pjesa tjetër e shoqërisë, ka ende borxhe për të shlyer.