Japonia lëshoi një alarm për cunam pas një tërmeti të magnitudës 7.8 që tronditi rajonet qendrore të vendit. Banorëve e zonës bregdetare Noto në prefekturën e Ishikawas iu kërkua evakuimi urgjent në vende “më të larta”.

Dallgët e para të cunamit e janë regjistruar tashmë në brigjet qëndrore të Japonisë dhe në Noto, siç paralajmëruan autoritetet, ato mund të mbërrijnë lartësinë 5 metra.

Situata është ende në zhvillim, thotë BBC, dhe ndërsa flitet për një sërë ndërtesash të shembura, niveli real i dëmeve nuk është ende i qartë. Zëdhënësi i qeverisë Yoshimasa Hayashi pohoi se centralet bërthamore në zonë nuk kanë raportuar ndonjë parregullsi, megjithatë është e domosdoshme, tha ai, që njerëzit të largohen nga rajonet bregdetare ku po afrohet tsunami.

“Çdo minutë ka rëndësi. Ju lutemi largohuni menjëherë drejt një zone të sigurt”, u shpreh Hayashi.

Zyrtarët rusë po ashtu lëshuan paralajmërime për cunam për ishullin Sakhalin, duke paralajmëruar se zonat në të gjithë bregun perëndimor të tij mund të preken nga dallgë të larta.
Në Korenë e Jugut, shërbimi meteorologjik vendas u bëri thirrje banorëve në disa qytete bregdetare lindore të vëzhgojnë ndryshimet e mundshme në nivelet e detit.

Kryeministri japonez Fumio Kishida pohoi se qeveria e tij ka ngritur një qendër të posaçme urgjence për të mbledhur informacion mbi tërmetet dhe cunamin dhe për t’ua përcjellë ato sa më shpejt banorëve me qëllimin të garantohet siguria e tyre.

Japonia është një vend jashtëzakonisht i prirur ndaj tërmeteve. Marsin e vitit 2011, një tërmet i madh dhe tsunami që e pasoi shkaktuan atje dëmtimin e rëndë të një centrali bërthamor.