Lajme të reja qarkullojnë për të ardhmen e Milanit. E përditshmja italiane “La Repubblica”, konfirmon interesin e fortë të arabëve për klubin kuqezi, që tashmë ka përfunduar në shënjestrën e fondit PIF (Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite), që aktualisht ka në pronësi Newcastle në Premier Ligën angleze.

Në ditët e kaluara, shkruan gazeta, përfaqësuesit e fondit qeveritar arab kanë ardhur në Itali, duke treguar interesin që kanë për të blerë klubin që është shpallur 19 herë kampion i Italisë. Arabët synojnë maxhorancën e aksioneve, që aktualisht i ka në zotërim Gerry Cardinale, pronari i fondit amerikan RedBird.

Cardinale, që mori drejtimin e Milanit në vitin 2022, ka treguar se ka dëshirë që të rrisë klubin me investime të ekulibruara, duke mbajtur në rregull bilancet. Fondi PIF, synon që të blejë 50% të aksioneve të klubit, një shifër e barabartë me borxhin që RedBird ka ndaj Elliott (pronarëve të vjetër të Milanit). Ky do të ishte hapi i parë dhe më pas blerja e të gjithë aksioneve të klubit kuqezi. Gjithsesi nuk ka asnjë lajm zyrtar dhe për momentin duket se Cardinale nuk ka si synim që të shesë Milanin.