Berisha: Kjo është tribuna e lirisë, e dinjitetit dhe guximit. Shqiptarë mos harroni, në Tiranë sot është vëllai siamez me Enver Hoxhën. Edhe këtë mbrëmje, ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një fjalim nga dritarja e banesës së tij, para mbështetësve që janë grumbulluar poshtë pallatit . Prej 30 dhjetorit ai ndodhet nën arrest shtëpie, ndërsa simpatizantët e tij janë mbledhur çdo ditë për rreth 2 javët e fundit në mbështetje të tij. Berisha ka hedhur akuza ndaj Ramës, duke e cilësuar këtë të fundit si “një armik i egër i Kombit shqiptar i cili në raport me pjesë të tjera të kombit është vëlla siamez me Enver Hoxhën”.

“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të nxehta. Përulem me mirënjohje të pakufishme para jush, djem e vajza, burra e gra, që zhvilloni çdo natë në këtë rrugë, një nga betejat ndër më të mëdhatë në historinë e këtij vendi. Zhvilloni këtu betejën pa kthim kundër të keqes së madhe që ka kapluar qenien shqiptare, që ka kapluar lirinë, dinjitetin, por edhe identitetin e këtij kombi. Kjo e keqe quhet rilindja e Edi Ramës.

Miqtë e mi, ju u ngritët në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, u ngritët kur Edi Rama, aleanca e krimit, drogës dhe korrupsionit që qeveris këtë vend, mendoi dhe besoi se i dha opozitës goditjen nukleare, se shndërroi këtë rrugë, pallat, ballkon në ballkonin e frikës dhe tmerrit për shqiptarët. Kurse ju, të rinj dhe të reja, burra dhe gra me dinjitet, njerëz të lirë, atdhetarë erdhët në këtë rrugicë, e shndërruat atë rrufeshëm, në një rrugë shprese, në një rrugë, ndriçimi, guximi, dinjiteti për çdo shqiptar që i thotë dinjitetit, dinjitet, lirisë, liri, shpresës, shpresë dhe Shqipërisë, Shqipëri.

Kjo betejë është e shenjtë aq sa është shenjtë për njeriun liria e tij.

Kjo betejë është e shenjtë aq sa është i shenjtë për njeriun, dinjiteti i shenjtë.

Kjo betejë është e shenjtë aq sa është i shenjtë për qytetarin i shenjtë, dheu i tij.

Miqtë e mi!

Në një hark kohor të shkurtër, Edi Rama, mafia e tij më e rrezikshme në Europë, mafia e tij shtetërore, u sul me tërbim kundër fjalës së lirë. Mbylli televizione, media. I shembi kryeqytetit dhe kombit, simbolin e mrekullueshëm, Teatrin e tij Kombëtar. Edi Rama një lloj si një bandit, pa ligj, moral, dinjitet, trajtoi shqiptarët në Astir, tek Unaza, njëlloj si një pushtues i egër.

Mashtroi studentët.

Edi Rama në projektin e tij ogurzi të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e tij, vendosi votën e shqiptarëve, vullnetin e tyre, në kontrollin e tij, të bandave të tij, të parave të krimit të tij. Ai ja doli me fuqinë e korrupsionit të mposhtë, kontrollojë opozitën dhe pas kësaj mendoi se Shqipëria pa opozitë, si Shqipëria e dajos së tij, që firmoste ekzekutimin e Genc Lekës, Vilson Blloshmit, që firmoste ekzekutimin e dhjetëra e dhjetëra intelektualëve shqiptarë.

Njëlloj si Shqipëria e babait të tij që firmoste varjen në litar të Havzi Nelës të ishte një Shqipëri pa opozitë, ku ai si padrino i saj të merrte çdo vendim, të kryente çdo akt, të bënte ndaj shqiptarëve atë që nuk e ka bërë deri më sot asnjë pushtues. Nga kjo tribunë e juaja, tribunë e lirisë, e dinjitetit, guximit ju ftoni, apeloni ndjenjat patriotike të çdo shqiptari. Shqiptarë, atdhetarë kudo që jeni, mos harroni se në Tiranë sot është një armik i egër i Kombit shqiptar i cili në raport me pjesë të tjera të kombit është vëlla siamez me Enver Hoxhën”, u shpreh ai.