Të paktën katër persona janë lënduar rëndë në një aksident me teleferik në vendskijimin Hochoetz në Tirol në perëndim të Austrisë, raportoi BBC-ja.

Kabina e teleferikut ka rënë nga rreth 7 metra lartësi pasi një pemë besohet të ketë prekur kabllon e saj rreth orës 10:20 të martën në mëngjes.

Operacioni i shpëtimit u përshkrua si jashtëzakonisht i vështirë sepse vendi ishte i pjerrët dhe i vështirë për punëtorët e urgjencës që të arrijnë deri atje.

Raportet austriake kanë thënë se katër të përfshirët ishin shtetas danezë.

“Gondola u rrëzua në një zonë shumë të gurtë, megjithëse zinxhiri i shpëtimit funksionoi shumë mirë. Shpëtimtarët arritën shumë shpejt në vendngjarje, por terreni e bëri atë shumë të vështirë dhe helikopterët nuk mund të arrinin atje shumë lehtë”, ka thënë Michaela Burger nga kompania e kabllove.