Tajon Buchanan është bërë futbollisti më i ri i Interit. Anësori kanadez ka zbarkuar në Milano këtë të enjte dhe ka kryer testet mjekësore, para se të shkonte në zyrat e klubit zikaltër, ku firmosi një kontratë deri në verën e 2028-ës, me pagë 1.5 milionë euro në sezon.
Buchanan vjen nga belgët e Club Brugge, të cilët do të përfitojnë 7 milionë euro menjëherë dhe deri në tre të tjera në formë bonusi për kartonin e kanadezit, që do të vihet në dispozicion të Simone Inzaghit vetëm pas të shtunës.
Kjo pasi 25-vjeçari do të kthehet në Belgjikë për të marrë lejen e punës në konsullatën italiane dhe më pas për të tërhequr dokumentacionin, duke qenë se nuk ka një pasaportë të Bashkimit Europian për të shmangur burokracitë.
Në këto kushte ka rënë opsioni që Buchanan të grumbullohet për ndeshjen ndaj Veronës, e planifikuar për mesditën e të shtunës, megjithatë kanadezi mund të zbarkojë në “San Siro” për të ndjekur shokët e tij të rinj nga tribuna. Me Buchanan Interi kompleton krahun e djathtë të mesfushës, që kishte mbetur i mangët në numra pas dëmtimit të Cuadrados, teksa kanadezi pritet të sjellë më shumë shpejtësi dhe cilësi teknike te zikatlrit.