Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi i ka bërë apel partive politike për të miratuar ndryshimet në kodin zgjedhor. Në një bashkëbisedim me gazetarët ai tha se ndryshimet në këtë kod duhet të datojnë jo më vonë se 6 muaj para zgjedhjeve, në të kundërt zgjedhjet mund të zhvillohen edhe me kodin aktual zgjedhor. “Nëse do të duhet të bëhen ndryshime në ligjin zgjedhor do të duhet të datojnë jo më vonë se një vit ose në rastin më ekstrem 6 muaj përpara ditës së zgjedhjeve. Nëse mbetet ky kod zgjedhor në fuqi natyrisht që zgjedhjet do të bëhen.
Nuk e di ç’impakt do të ketë në lidhje me standardin teknik të organizimit të zgjedhjeve të ardhshme por duket që faktori politik e institucional kanë pranuar nevojën për ndryshime në kodin zgjedhor për disa aspekte të këtij kodi. Do të ishte mirë që partitë politike të angazhohen për t’i realizuar këto ndryshime sa më shpejt që të jetë e mundur. Kemi paraqitur një listë që duhet të adresojnë në kuadër të reformës zgjedhore ngelet në vullnetin e partive për t’i adresuar ato çështje që për ne mbetet të nevojshme për t’u rikonsideruar”. Ai tha se është i papërgatitur për të dhënë një përgjigje sa i përket shpërndarjes së mandateve, por tha se kushtetuat ka përcaktuar disa kufij që përcaktojnë mënyrën e llogaritjes së mandateve, por sërish u bëri apel partive politike që të adresojnë këtë çështje se sjell problematika.
“Ka qenë një rregull ligjor që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar dhe logjikisht duhet të plotësohet kjo mangësi. Është mirë që partitë të adresojnë këtë çështje se është një çështje që prodhon problematika e pasiguri për administrimin e procesit zgjedhor dhe pse kushtetuta e ka një përcaktim. Janë dy elementë që duhen pasur në vëmendje që GJK ka vendosur që një rregull që ka ekzistuar nuk ekziston më dhe duhet të rishkruhet. Kuvendi do të duhet të bëjë rishkrimin. Por kushtetuat ka përcaktuar disa kufij që përcaktojnë mënyrën e llogaritjes së madateve që ti si ligjvënës nuk duhet t’i kapërcesh. Nëse janë të mjaftueshëm që ti të bësh ndarjen e mandatave dhe ti si KQZ të ekzekutosh kompetencën tënde, këtë nuk di ta them për momentin”.
Vota e emigrantëve, sipas Celibashit është e pamundur derisa Kuvendit të plotësojë boshllëkun ligjor.
“I qëndroj të njëjtit qëndrim në lidhje më këtë çështje. Nëse Kuvendi nuk plotëson boshllëkun ligjor sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të zhvillohet votimi nga jashtë. Gjykata Kushtetuese edhe pse e di që ka qëndrime të ndryshme nga i imi ka thënë që mungon ligji për të zhvilluar votime nga jashtë. Sa kohë mungon ligji nuk mund të nxjerrësh akt nënligjor të një ligji që nuk ekziston. Nuk është si rasti i shpërndarjes së mandateve për cilin ka një lloj përcaktimit”. Edhe për votimin elektronik në 5 qarqe Celibashi theksoi se do të jetë i pamundur nëse partitë dhe qeveria nuk disponojnë këtë rekomandim të KQZ-së deri në fund të shkurtit. “Do të jetë i pamundur nëse partitë politike dhe qeveria nuk disponojnë në lidhje me këtë rekomandim të KQZ brenda një periudhe që kemi llogaritur fundin e muajit shkurt. Eksperienca ka treguar se ky proces në këto 5 qarqe; Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë dhe Fier është mjaft impenjativ nga pikëpamja e resurseve njerëzore por edhe nga pikëpamja teknike. Kemi nevojë për një vit kohë për ta përgatitur këtë proces që të mos marrë asnjë kritikë dhe të mos vendoset në dyshim në përfundim të zgjedhjeve në 2025”.