Çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Jurgen Klopp pas largimit nga Liverpooli në fundin e sezonit? Atë e di vetëm trajneri 56-vjeçar, por në Gjermani i kanë idetë e qarta.
“E dua Liverpoolin, qytetin dhe tifozët, por nuk kam më energji”, u shpreh Klopp në deklaratën që shokoi Premier League, por jo vetëm. Një ndër më të mirët në botë në profesionin e tij, qëndron në stolin e The Reds prej 8 tetorit të vitit 2015.
Shtypi sportiv gjerman shkruan se Klopp mund të vendosë të jetë sërish pjesë e Bundesligës. Dhe mund të bëjë një rikthim romantik te Borussia Dortmund. Ose të emërohet trajneri i Bayern Munich. Por, mundësi konkrete është edhe marrja e drejtimit të kombëtares gjermane pas përfundimit të Euro 2024.
Me objektivin dhe ëndrrën e fitimit të Kupës së Botës, që “Pancerave” u mungon prej vitit 2014, kur skuadra e Joachim Low triumfoi në Botërorin e Brazilit. Gjithsesi, në Gjermani bëjnë të ditur se Klopp mund të vendosë përfundimisht tërheqjen nga roli i trajnerit. Edhe pse një opsion i tillë është pothuajse i pabesueshëm. Me teknikun e Liverpoolit që mund të mjaftohet me një vit pushim për t’u rinisur më pas me futbollin e tij “Heavy Metal” në Gjermani, Spanjë ose Itali.