Në Davos të Zvicrës sot do të nisë punimet Forumi Ekonomik, ku pjesë e tij do të jenë edhe liderët nga vendet e Ballkanit Perëndimor

Në Davos të Zvicrës sot do të nis punimet Forumi Ekonomik, ku pjesë e tij do të jenë edhe liderët nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë forum që do të zgjasë deri më 19 janar, do të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Gjithashtu në takim do të jetë edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak.

Sipas Zëri.info Lajçaku pritet që në kuadër të këtij forumi të ketë takime ndaras me Kurtin dhe Vuçiç.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Sano, duke konfirmuar këto takime sqaroi se megjithatë nuk pritet të ketë takim trepalësh.

Sidoqoftë pjesëmarrja e të gjithëve në këtë forum nga analistët në Prishtinë po shihet si mundësi e mirë që do të shfrytëzohet nga ndërmjetësi i BE-së për rikthim të palëve në tavolinën e bisedimeve.

Takimi i fundit Kurti-Vuçiç në kuadër të dialogut është mbajtur në shtator të vitit të kaluar, që pati përfunduar pa rezultat.

Ndryshe takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror këtë vit ka temën ‘Rindërtimi i besimit” dhe mbahet nga 15-19 janar 2024.

Takimi i 54-të vjetor i Forumit Ekonomik Botëror do të ofrojë një hapësirë vendimtare për t’u fokusuar në parimet themelore që nxisin besimin, duke përfshirë transparencën, qëndrueshmërinë dhe llogaridhënien.