PD vijon të mbetet në udhëkryq, ndërsa Sali Berisha në “arrest shtëpie”. Për këtë situatë dhe të ardhmen e partisë më të mëdha opozitare në vend, u pyet deputeti njeheresh nenkryetar i Kuverndit si perfaqesues i opozites, Agron Gjekmarkaj teksa ishte i ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN.
Ai theksoi se nuk ka ambicie për të drejtuar PD-në, ndërsa tha se ka shumë figura të tjera brenda opozitës me karizmin dhe përgatitjet e duhura për ta bashkuar opozitën dhe për ta nxjerrë nga kjo situatë.
“Berisha po përballet me një proces gjyqësor ku ka shumë konotacione politike. Tani është çështje e largpamësisë së tij sesi do të sillet në raport me demokratët dhe Partinë Demokratike.
Unë mendoj se Partia Demokratike ka potenciale lidershipi, qoftë te një njeri që vjen nga provincat apo ata që janë në qendër, njerëz të profesionit apo intelektualë. Nuk ka mbetur Shqipëria pa njerëz që i dalin për zot opozitës apo të djathtës. Loja e emrave nuk na çon askund.
Unë nuk kam ambicie. Nuk e ndjej. Mendoj se jam më i dobishëm në pozicionin e njeriut që flet e shkruan. Më mungojnë disa të dhëna. Duke qenë një njeri modest, mbetem brenda gjërave që t’i të bëj dhe jam i sigurt në to.
Sa i përket përmendjes së emrit të Argita Malltezit, mendoj se edhe kjo është një histori tjetër klikimesh. Në filmin “Hije që mbeten pas” i kërkohet djalit të dënojë të atin. Fakti që zonja Malltezi mbron të atin, mua më duket gjëja më njerëzore në botë dhe mendoj se bën gjënë e duhur që është në krah të të atit
Gjithsesi, unë jam kundër trashëgimisë politike. Ajo vërtet mund të hyjë në garë dhe ta fitojë atë garë sepse ka mbiemrin Berisha, por nga pikëpamja etike nuk do të ishte gjëja e duhur për PD-në”, tha Gjekmarkaj.