ITALIA- Vrasja e 39-vjeçarit shqiptar Bledar Dedja në pyllin Paderno del Grappa në Itali vijon të jetë e mbuluar nga misteri mes shumë hipotezash të ngritura. Autoritetet italiane mësohet se kanë shqyrtuar bisedat, profilet në media sociale dhe tabulatet telefonike të shqiptarit, si dhe kanë ekzaminuar ambientet në zonën rrëzë kodrës që ai frekuentonte. Të dhëna mbi “jetën e dyfishtë” të viktimës do të hedhin dritë dhe mund të zbulojnë identitetin e vrasësit. Zbulimi i trupit me pantallona të ulura dhe plagët e shumta me thikë të shkaktuara me furi tregojnë për një krim të kryer në ‘sulm xhelozie’ apo ‘hakmarrjeje’, raportojnë mediat italiane. Po ashtu raportohet se sipas asaj të dhënave që është zbardhur deri më tani, Dedja mund të jetë joshur në pyll nga një person (grua apo burrë) që me sa duket e njihte, i cili ka vepruar si karrem, për një takim intim, ndërsa vrasësi ishte fshehur në shkurre gati për të goditur.
Zona ku u gjet Mercedesi B-Class i Dedjas ishte nën kontroll dhe pak më larg kufoma e 39-vjeçari shqiptar, viktimë e rreth 20 plagëve me thikë. Hetuesit, ditët e fundit kanë marrë në pyetje rreth 30 persona, përfshirë të afërm dhe të njohur të viktimës.