Aktori i humorit, Albano Bogdo ka folur sërish për përballjen me probleme të shëndetit mendor, ku ka treguar se vuante nga sulmet e atakut të panikut.

Albano Bogdo është shprehur se producenti i emisionit atëherë “Apartamenti 2XL”, Turjan Hysko e kishte dërguar tek psikologia për të marrë ndihmë dhe më pas tek spitali i 5-sës.

Ai ka rrëfyer se fillimisht refuzoi të hynte në spital pasi kishte frikë se do ta mbyllnin brenda dhe se herën e parë mjeku e vizitoi në makinën e Turjan Hyskos.

Aktori u shpreh se herën e dytë që shkoi u fut brenda ambienteve të spitalit, teksa shtoi se “m’u mbushën sytë me lot, kuptova sa me fat jam, kisha sëmundjen më të lehtë nga të gjithë”.

“Unë kisha vite që vuaja nga ankthi derisa u përshkallëzua në atak paniku, vetëm skizofrenia ja kalon atakut të panikut. Më çoi Turi tek 5-a, më çoi tek një psikologe, ajo e kuptoi që nuk kisha lidhje fare dhe e kuptoi që duheshin medikamente. I tha Turit që duhet ta çosh tek një psikiatër.

Të nesërmen Turi më thotë që do të shkojmë tek 5-a. I thashë tek kush 5-së do të shkojë unë? Herën e parë doktori më ka vizituar tek makina e Turit. I thosha të shkoj aty brenda të më mbyllin, e di që s’do më lini të dal.

Thashë po më mbyllin brenda me stil. Kisha dëgjuar që të lidhnin. Herën e dytë që kam hypur, ishte një spital si të gjithë të tjerët dhe pavioni ku ishin pacientët ishte normal fare, jo si ata që kemi parë nëpër filma. Ma sugjeroi mjeku, futemi në pavion, më tha. Mendova nuk ishte e para me të futur, është e dyta tani.

Se dera e pavionit ishte me çelës, doktori më tha janë 20 mjekë brenda. Thjesht tha mbyllim derën se mos del njeri jashtë dhe dëmton veten. U futa në pavion, qëndrova 1 orë dhe mu mbushën sytë me lot, kuptova sa me fat jam. Kisha sëmundjen më të lehtë nga të gjithë”, tha Albano Bogdo.

Në një rrëfim disa muaj më parë, aktori ka treguar se në disa shfaqje të “Apartamenti 2XL”, nuk ka marrë pjesë si pasojë e panikut që e kapte para se të hynte në skenë.

“Unë kam vuajtur nga ankthi që në adoleshencën e hershme. Nuk e di, kisha ankth pa shkak, duke ndenjur në mësim ose në shtëpi. Më rriteshin të rrahurat e zemrës, mbushesha me djersë të ftohta. Më dukej sikur do vdisja. Nga mosdija si unë, si doktorët që kanë qenë në Sarandë, shkonim në spitale më bënin analiza zemre, tiroide. Më çonin në qorrsokak se nuk dinin çfarë të thonin.

Më masnin të rrahurat e zemrës se i kisha 140-150 më thonin s’janë normale. Kur erdha në Tiranë prapë e njëjta gjë. Sëmuresha, shkoja tek doktori i zemrës. Derisa një ditë më çuan me zor në një psikolog. Me zor në kuptimin që i thosha nuk kam gjë nga mendja, e kam te zemra. Nuk kishte lidhje me turpin. Fola me atë psikologen ishte femër, më bëri më keq. Më dha ca kështu bimore…

Unë në këtë kohë kisha kaluar në çrregullime paniku. Nuk kisha më ankth. Kishte filluar të më zinte paniku, bëhesha shumë keq. Punoja tek Apartamenti 2XL atëherë, 3-4 herë kam ikur nga shfaqja sa do fillonte shfaqja.

Sa më anonçohej emri, unë isha Albano Bogdo, unë nuk dilja në skenë, dilja nga godina, ikja fare, ikja në spital. Aq shumë keq bëhesha. Shkoja në spital, i kisha të rrahurat e zemrës 160-170. Tensionin shumë të lartë. Vazhdonin prapë më vizitonin për zemrën… Nga zemra s’kam asgjë”, tha Bogdo.