Milan koleksionoi fitoren e dytë radhazi në Serie A, teksa kundër Empoli-t skuadra e Stefano Pioli-t e çoi në katër numrin e ndeshjeve pa humbje në kampionat, duke vijuar me ritmin e mirë, por kreu mbetet përsëri nëntë pikë larg.
Pas suksesit me Empoli-n, trajneri Pioli u shpreh shumë i lumtur me rezultatin dhe ndeshjen, por pranoi se ka ende vend për përmirësime.
“Ne duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm gjatë të gjithë ndeshjes. Në pjesën e dytë toleruam diçka dhe mund të ndikonte për keq, por për fatin e mirë ia dolëm në fund. Ishte një ndeshje e mirë, një sukses i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Kemi krijuar një ecuri të mirë në kampionat, por kjo nuk do të thotë që të ulim ritmin, pasi kreu është ende larg, nuk ka kohë për të pushuar. Ne po rritemi nga ndeshja në ndeshje dhe po luajmë me një nivel të mirë. Tani kemi Atalantën në kupë, një kompeticion që na intereson dhe do të japim më të mirën tonë sepse duam t’i shkojmë deri në fund” – tha fillimisht trajneri italian.
Në fund, Pioli foli edhe për të ardhmen e Theos si mbrojtës qendre dhe për të riun Traore, që po kalon një formë shumë të mirë.
“Theo është shumë i fortë, i pajisur me inteligjencën e duhur në fushë dhe fizik që pakkush e ka në botë. Ka vëmendjen e duhur kur luan në qendër dhe kjo më pëlqen, sepse nuk është e lehtë të përshtatesh, por ai e ka bërë tashmë. Për momentin do të vazhdojmë kështu, kjo është diçka që edhe Theo-s i shërben shumë. Traore? Jam i lumtur për të, jo vetëm unë, por të gjithë. Duhet ta shijojë këtë moment dhe ta përdorë në të mirën e tij. Të punosh me lojtarë të rinj është diçka e bukur dhe Milan ta dhuron këtë mundësi dhe unë kam besim te të gjithë, por natyrisht është e vështirë të parashikosh të ardhmen e tyre, rëndësi ka që të punojmë shumë të gjithë së bashku sepse në një klub si Milan të gjithë ata që janë në hapat e para të karrierës e kanë mundësinë të mësojnë më shumë” – përfundoi Pioli.
Pas fazës së parë, Milan pozicionohet në vendin e tretë me 39 pikë, ndërsa tashmë ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës, atë ndaj Atalanta-s në Kupë, takim që do të luhet këtë të mërkurë.