Njeri me integritet, profesionist shumë i mirë dhe i pakorruptuar. Kështu e ka cilësuar deputeti demokrat Dash Sula, kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, sipas të cilit është fat që ndodhet në krye të atij institucioni.
“Po ju garantoj që Dumani është njeri me shumë integritet, shumë profesionist i mirë dhe i pakorruptuar dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë. Është fat që e kemi në krye të SPAK. Ndihet fort dora e SPAK tani si po funksionon pavarësisht se ligji për prokurorinë ka një ndryshim total, por kompetencat si drejtues i SPAK i u ushtron me përgjegjësi të madhe”, tha ai.
Po meritën për funksionimin e këtij institucioni, deputeti demokrat ia njeh edhe presionit ndërkombëtar, kryesisht amerikan, që sipas Sulës pa ta, kjo strukturë nuk do të ekzistonte.
“Po të mos ishin amerikanët ta harrojmë se do ekzistonte një strukturë si SPAK-u. Reforma është bërë jo në kuptimin e diktatit, por duke parë zullumin e korrupsionit kishte ardhur momenti dhe presioni i ndërkombëtarëve ka qenë shumë i madh se korrupsioni po përfundonte në çdo qelizë të këtij shteti”, tha Sula.
Ai shpreh keqardhje për akuzat e Sali Berishës për SPAK-un dhe Dumanin. Sipas tij Dumani nuk ka përgjegjës çështjen Berisha dhe thekson se opozita duhet ta mbështesë këtë institucion të drejtësisë.
“Keqardhje se zoti Berisha është babai ynë ideologjik dhe historik, por ndaj qëndrime të ndryshme me zotin Berisha për disa gjëra. Politikani duhet të shohë problematikat te vetja, por atakimi që i bëhet organeve të drejtësisë nuk i shërben shoqërisë shqiptare më shumë i prishin punë dhe nuk krijojmë impakt pozitiv. Opozita duhet te ishte në mbështetje të SPAK. Për çështjen Berisha përgjegjësia e Dumanit është zero”, u shpreh Sula.
Sula u shpreh i bindur të mbështesë SPAK-un pasi sipas tij “po të mos ishte SPAK do ishin zero ndëshkimet nga mazhoranca dhe kushdo politikan”.