Klubi i Milanit përballet me një çështje gjyqësore të pazakontë, e cila do të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Kuqezinjtë janë denoncuar nga legjenda e këtij klubi, ish-futbollisti italian Xhani Rivera, i cili pretendon se Milani ka shkelur të drejtat e tij.
Ish-futbollisti, i cili ishte një nga flamujt e Milanit dhe fitoi edhe “Topin e Artë” me këtë skuadër në vitin 1969, nuk ka pëlqyer faktin se klubi ka shpalosur në muzeun e vet disa nga kujtimet që i takojnë këtij lojtari. Sipas tij, përveç se klubi nxjerr fitime duke shituar bileta për ekspozitën, ka vendosur aty objekte të cilat nuk janë autentike.
Rivera kishte fituar gjyqin në shkallën e parë, duke i sjellë një gjobë prej 200 mijë eurosh kuqezinjve. Por Gjykata e Kasacionit e ka përmbysur këtë vendim, duke i dhënë të drejtë Milanit dhe anuluar atë të shkallës së parë.
Ish-lojtari nuk është dorëzuar dhe ka bërë të qartë se do të kërkojë drejtësi në gjykatat ndërkombëtare. “Do të denoncoj Milanin para Gjykatës Europiane, pasi në Itali nuk janë njohur të drejtat e mia”, tha për “TG1” legjenda italiane që ka luajtur 658 ndeshje me Milanin duke shënuar 164 gola.