Rreth 12 milionë njerëz në Gjermani nuk kanë pasaportë gjermane, megjithëse shumica e tyre jeton më shumë se 10 vjet në Gjermani. Kjo ka për të ndryshuar me ligjin e ri për nënshtetësinë. Ata që e sigurojnë vetë jetesën, mundet në të ardhmen të marrin pasaportën gjermane pas 5 dhe jo më 8 vjetësh. Kush për shembull angazhohet tek zjarrfikësit vullnetarë, pra sjell një arritje integrimi të veçantë, mundet që të marrë nënshtetësinë gjermane edhe pas 3 vjetësh. Risia tjetër, pasaportë e dyfishtë është e mundur për të gjithë ata, që nuk janë qytetarë të BE. “Njerëzit që prej vitesh jetojnë këtu, kanë qasje të plotë tek e drejta demokratike për të votuar, pa e varur në gozhdë historinë e vet”, shpjegon Konstantin von Notz, zëvendëskryetar i grupit parlamentar të Të Gjelbërve, kundrejt gazetës “taz”.
Drejt “një vendi modern imigrimi”
Hakan Demir nga SPD e vlerëson të suksesshme reformën. Qeveria e koalicionit është “koalicioni i vetëm politik, me të cilën ishte e mundur një gjë e tillë”, thotë deputeti për gazetën “taz”. Derya Türk-Nachbaur nga grupi parlamentar socialdemokrat shënon në platformën X, se mesazhi për miliona vetë është “Ju jeni pjesë e jona”.
Kurse sekretarja e shtetit për migracionin, refugjatët dhe integrimin, Reem Alabali-Radovan, deklaroi në radion Deutschlandfundk, se kushtet për të marrë nënshtetësinë gjermane do të mbeten edhe më tej të larta. Gjermania do të jetë një vend modern imigrimi, por në tërheqjen e forcave të kualifikuara krahasuar me vendet e tjera, ajo nuk kryeson. Ministrja e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser, SPD gjatë debatit në Bundestag tha, se “edhe ne duhet t’u bëjmë një ofertë njerëzve, atyre që janë të kualifikuar nga e gjithë bota si e bën SHBA apo Kanadaja.”
Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser (SPD) duke folur në BundestagMinistrja e Brendshme, Nancy Faeser (SPD) duke folur në Bundestag
Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser (SPD)Fotografi: Jens Krick/Flashpic/picture alliance
Zëvendëskryetari i grupit parlamentar socialdemokrate, Dirk Wiese, tha se “ne kujdesemi që njerëzit që e kanë bashkëndërtuar këtë vend, kanë të drejtë edhe nga ana ligjore në këtë vend”. Deputeti i SPD, Adis Ahmetovic e quan ligjin për nënshtetësinë e dyfishtë, jo vetëm një instrument të mençur ekonomikisht për të fituar fuqi të kualifikuar punëtore, por edhe “një mirënjohje të vonuar për arritjet e njerëzve me histori migrimi në Gjermani”.
Unioni e shikon ligjin si zhvlerësim të pasaportës gjermane
Unioni i CDU dhe CSU e kritikon reformën e nënshtetësisë. Deputeti i CSU dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Alexander Dobrindt në muajt e kaluar ka bërë fjalë për “një ofrim me çmim të lirë” të nënshtetësisë gjermane. “Të ruhet vlera e nënshtetësisë gjermane” ishte titulli i një kërkese të grupit parlamentar konservator, ku vlerësohet si “tërësisht e gabuar” reforma. Aty theksohet se reforma e qeverisë injoron “krizën e migracionit dhe problemet e integrimit”. Unioni kërkon një projektligj, që “të drejtën e nënshtetësisë e zhvillon me kujdes dhe të orientuar nga realiteti”.