“Luftë” sportive, 7 kartonë të verdhë, një i kuq për Mourinho-n, raste për shënim, por Roma dhe Atalanta ndajnë nga një pikë pas barazimit 1-1, një “X” që nuk kënaq asnjë nga dy ekipet. Bergamaskët befasuan Romën brenda në Olimpiko pas vetëm tetë minutash duke kaluar në avantazh. Verdhekuqtë u rikthyen në lojë në minutën 39-të teksa gjyqtari i takimit, me ndihmën e sistemit VAR, akordoi një 11-metërsh për faull në zonë.

Nga pika e bardhë, Dybala u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 1-1. Në pjesën e dytë, dy ekipet provuan në çdo formë të gjenim golin e fitores, por pa sukses. Në fund, Mourinho, për protesta ndaj gjyqtarit, u ndëshkua me karton të kuq duke humbur sfidën me Milanin. Berat Gjimshiti, kapiteni kuqezi, zhvilloi një 90-minutësh pozitiv pavarësisht se kishte një klient të vështirë si Romelu Lukaku. Me 29 pikë në 19 javë, Roma renditet në vendin e tetë, plus një pikë në raport me Napolin.

Kampionët e Serie A po kalojnë një moment shumë të vështirë, pësuan një tjetër humbje të rëndë, këtë herë 3-0 përballë Torinos në transfertë. Me Mazzarrin në stol, Napoli po përjeton një moment të frikshëm ku në 7 ndeshje ka marrë vetëm 7 pikë, kanë pësuar 4 humbje. Pavarësisht shifrave shumë negative, Walter Mazzarri theksoi se nuk ka ndërmend të jap dorëheqjen.