Juventusi nuk zhgënjeu në shtëpi duke ia dalë të mposhtë 4-0 Frosinonen, në sfidën çerekfinale të Kupës së Italisë. Në “Allianz Stadium” ishte Milik që shkëlqeu me tripletë, ndërsa një nga golat u shënua nga “djaloshi i artë”, turku Yildiz. Në gjysmëfinalen e Kupës tanimë “Zonja” do përballet me Lazion.

Në një atmosferë të ngrohtë në Torino, tifozët që kishin mbushur stadiumin panë tre gola nga Milik. Polaku shënoi në minutat 11-të, 38-të dhe 48-të, për t’i lënë vendin edhe Yildiz në të 61 minutë. McKennie në këtë duel dhuroi dy asiste, duke dalluar me lojë të mirë.

Kështu, Juventusi në fazën gjysmëfinale do përballet me Lazion në datat 3 prill dhe 24 prill, me duelet në këtë fazë që janë me vajtje-ardhje. Gjysmëfinalja tjetër është mes Fiorentinës dhe Atalantës.