Rekordmenia e futbollit shqiptar të femrave, njëkohësisht dhe kapitenia e kombëtares kuqezi, Megi Doçi, do e vijojë karrierën e saj tek skuadra turke e Galatasaray.
Përmes një njoftimi zyrtar, Doçi është prezantuar në kompleksin Ali Sami Yen nga anëtari i Bordit të Klubit Sportiv të Galatasaray, Emir Aral. Në njoftimin e klubit thuhet se 27-vjeçarja ka nënshkruar një kontratë deri në fund të sezonit, por ndër të tjera cilësohen disa nga rekordet që ajo ka arritur në Shqipëri me Vllazninë.
Sulmuesja kuqezi numëron 11 tituj kampion dhe 10 Kupa të Shqipërisë, ndërkohë që në sezonin 2019-2020 arriti që të shënojë 88 gola duke fituar këpucën e artë. Doçi ka fituar në dy sezonet e fundit Topin e Artë, ndërkohë që numëron me dhjetra çmime individuale në kampionatin shqiptar.
Në fjalët e saj të para, Doçi u shpreh e lumtur për aventurën e re në kampionatin turk: “Së pari, jam shumë e lumtur që jam këtu. Është një nder për mua të vij në një komunitet të madh si Galatasaray. Kam luajtur më parë në Champions League. Dua të bëhem kampion në Galatasaray dhe të shkoj në Champions League”.
Ndërkohë që anëtari i Bordit Emir Aral tha se Doçi do të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën e Galatasaray: “Ne kishim vështirësi për të shënuar gola në pjesën e parë. Ne nënshkruam kontratën sot me Doçin, e cila ka përvojë të mëparshme në Champions League. Ajo luan për Kombëtaren shqiptare prej shumë vitesh për vite dhe është golashënuesja më e mirë. Ne planifikojmë të jemi më efektivë me të. I urojmë fat. Shpresoj se ai do të na bëjë të lumtur me golat e saj”. Vlen të theksohet se kjo është eksperienca e parë jashtë vendit për Megi Doçin.