Nga Suela Gera
Këmbënguli t’i kishte të gjithë pranë natën e ndërrimit të viteve, në banesën e tyre në Sukth të Durrësit. Ishte e vetëdijshme se do të ishte darka e fundit e Vitit të Ri që do të kalonte me ta, 4 fëmijët e bashkëshortin.
Prej 2 dhjetorit 2022 mbante mbi supe peshën e turpit, bullizimit dhe denigrimit.
Fotoja e saj në Tik-Tok shoqëruar me fjalë fyese kishte marrë 30.000 shikime. E rëndë ishte dhe pesha e trysnisë së opinionit publik, kolegëve të punës dhe bashkëfshatarëve
Adresën ia kishte hapur kushërira, vajza e tezes (ajo që duhet si motër) kanë treguar familjarët.
Të gjithë e dinin. E dinte familja e cila kishte kontaktuar me autoren e profilit fals për ta fshirë. Takuan dhe tek fëmijët e saj por pa rezultat.
Ngjarjen e dinte dhe policia. Familja kishte bërë denoncimin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, aty ku trokitet për të kërkuar ndihmë. Kishin treguar profilin madje dhe autoren se kush e kishte hapur adresën false, por duket se askush nuk e mori seriozisht.
Policia, e cila nuk bëri asgjë për të mbyllur një adresë false për më shumë se një vit përpiloi dokumentet.
“Sqarojmë se në dhjetor të vitit 2022, shtetasja B. L. ka bërë kallëzim se në rrjetet sociale ishte hapur një adresë false me emrin e saj. Për kallzimin e bërë ne dhjetor 2022, Policia ka kryer të gjitha veprimet dhe i ka referuar materialet në Prokurori dhe çështja është në hetim në Prokurori” thuhet në njoftimin e sotëm sqarues të policisë së Durrësit duke ia kaluar topin e fajit Prokurorisë së qytetit. As kjo duket se nuk e ka vënë ujin në zjarr, duke e vendosur dosjen në stivën e atyre ‘të parëndësishmeve’ dhe presin se ka kohë.
Pyetja 1 milionëshe është si ka mundësi që policia dhe as prokuroria nuk reagoi për të mbyllur profilin fals. Mjafton të shkruash suportit (të rrjetit social) dhe ata reagojnë. Një veprim I tillë mund të jetë I vështirë për një qytetar të thjeshtë që jeton në qytete të vogla apo rrethina, por është afërmendsh të mendosh që këto dy instituone nuk kanë specialistë që mund të kontaktonin për të mbyllur një profil fake.
Ndoshta nuk kishin prova për të arrestuar apo vënë para ligjit autorin, por të paktën të kishin mbyllur profilin fake.
E kanë injoruar!
Policia do të kishte dashur shumë që ngjarja të kalonte në heshtje, pasi nuk përcolli asnjë njoftim mbi ngjarjen ditën kur ajo vrau veten. As nuk do të reagonte nëse media nuk do të ngrinte zërin për nënën e 4 fëmijëve që nuk jeton më
Në kuadër të mbrojtjes vijoi sot njoftimin klishe
“Pas këtij kallëzimi nuk ka patur asnjë kallëzim apo shqetësim nga shtetasja B. L, për këtë rast. Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti” Shkruhet në njoftimin e sotëm të policisë së Durrësit.
Në fakt një hetim i ri duhet të ndërmerret. Për neglizhim apo shpërdorim detyrë për ata zyrtarë të cilët nuk morën asnjë hap që do I kishte shpëtuar jetën
Ndërsa profili i Tik Tokut vijonte të merrte më shumë shikime, edhe më i madh ishte dhe presioni psikologjik përballë së cilës e gjendte veten e pambrojtur 41 vjeçarja.
Djali ishte përpjekur ta ndihmonte por pesha e turpit që e brente çdo ditë ishte më e madhe.
“Jam nuse në familje … dhe për nder rroj”
Por nuk kishte kohë për nënën e 4 fëmijëve.
E ndjerë e pambrojtur dhe e lodhur përballë këtij turpi që e mbante mbi supe pa bërë asgjë të keqe 41 vjeçarja vendosi ti jepte fund jetës mëngjesin e 2 janarit 2024.