Inter nuk gaboi as në një transfertë delikate si ajo ndaj Fiorentinës. Zikaltërit triumfuan me rezultatin 1-0 dhe u rikthyen në krye të Serie A, me një pikë më shumë se Juventus në pritje të përballjes direkte të dielën në San Siro. Skuadra e trajnerit Simone Inzaghi tregoi shumë pjekuri në “Artemio Franchi” ku përballoi sulmet e vendasve më së miri, dhe në momentin kur Fiorentina iu afrua barazimit, Yann Sommer veshi kostumin e heroit duke ndalur nga 11-metrat Nico Gonzalez.
Kështu, Inter fitoi dhe mbajti portën të paprekur për të 13-tën herë në 22 javë kampionat. Juventus dhe Nice në Francë ia kanë dalë ta ruajnë portën e parekur në vetëm 12 ndeshje. Statistikat tregojnë se pikërisht faza difensive është edhe pika më e fortë e zikaltërve. Në këtë sezon, në pesë kampionatet kryesore të Europës është pikërisht Interi skuadra që ka pësuar më pak gola, vetëm 10. Ndërkohë, nëse marrim në konsideratë ndeshjet e të gjithë kompeticioneve, Inter ia ka dalë ta mbyllë 90-minutëshin me portën e paprekur në 18 nga 30 ndeshje.
Shifrat, padyshim që lënë të kënaqur trajnerin Simone Inzaghi që e ka kthyer skuadrën e tij në një “bunker” të vërtetë në ndjekje të objektivave sezonal, titulli kampion në Itali dhe një rrugëtim sa më i gjatë në Champions League.