Juventus fitoi në transfertë ndaj Lecces me shifrat 3-0, një trepikësh që i ngjit bardhezinjtë në krye të klasifikimit me 52 pikë teksa kanë luajtur një ndeshje më shumë se rivalët e Inter. Pas sfidës me Leccen, trajneri Massimiliano Allegri theksoi se është shumë e rëndësishme që në përballjen direkte me zikaltërit më datë katër shkurt, të shkojnë në Milano si kryesues.
“Asgjë nuk është e pamundur. Nëse ke këtë mentalitet, atëherë mund të arrish edhe objektiva përtej mundësive. Çdo ambicie është e vlefshme. Ndaj Lecces pati një moment ku e ulëm përqëndrimin dhe rrezikuam, por djemtë u treguan të zotë për t’u rikthyer në ndeshje dhe më pas për ta mbyllur me sukses atë. Jemi stërvitur për të fituar sa më shumë ndeshje të jetë e mundur, po rritemi fizikisht. E them shpesh se në futboll nuk ka asgjë të pamundur, ne do të bëjmë maksimumin, pastaj nëse të tjerët renditen para nesh do t’i urojmë. Për ne është shumë e rëndësishme që në ndeshjen ndaj Interit në San Siro të shkojmë si kryesues. Mbi të gjitha tani kemi distancë edhe me vendin e pestë”, u shpreh Allegri.
Livornezi në ndeshjen ndaj Lecces, festoi fitoren e 300 në karrierën e tij si trajner në Serie A, ndërsa falenderoi të gjithë lojtarët që ka stërvitur përgjatë këtyre viteve. “Jam shumë i lumtur për këtë arritje, i falenderoj të gjithë lojtarët që kam pasur në dispozicion nga fillimi deri në këtë moment. Ndjehem me fat sepse kam pasur në dispozicion lojtarë të jashtëzakonshëm”, tha Allegri. Vlen të theksohet se më mirë se Allegri në këtë statistikë kanë bërë vetëm Nereo Rocco me 302 fitore si dhe Giovanni Trapattoni në kuotën e 352 fitoreve në Serie A.