Urdhëron ndalimin e akteve të gjenocidit në Gaza, por jo të luftës. Është ky vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë lidhur me çështjen e ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit.
Trupi gjykues i institucionit të Kombeve të Bashkuara rrëzoi kërkesën e Tel Avivit për të arkivuar çështjen e ngritur në mbrojtje të civilëve Palestinezë. Sipas vendimit, disa akte në luftën në Gaza mund të konsiderohen gjenocid.
“Izraeli duhet, që në përputhje me detyrimet e dala nga Konventa e Gjenocidit, lidhur me palestinezët në Gaza, të marrë të gjitha masat e nevojshme brenda fuqisë së tij, për të parandaluar çdo akt që mund të konsiderohet gjenocid – si vrasja e anëtarëve të një grupi, shkaktimi i lëndimeve trupore apo mendore, krijimi i kushteve për të shkaktuar shkatërrimin e një grupi dhe parandalimi i lindjeve”, tha Joan Donoghue, gjyqtare në Hagë.
Gjithashtu i kërkohet Izraelit që të parandalojë çdo shkatërrim të provave që mund të përdoren në këtë çështje gjenocidi. Qeverisë së Benjamin Netanjahut i bëhet thirrje që të marrë masa për të siguruar akses humanitar në Gaza. Por ky i fundit reagoi duke refuzuar vendimin e Hagës.
“Si çdo shtet tjetër, Izraeli ka një të drejtën e natyrshme për ta mbrojtur veten. Përpjekje e turpshme për t’ia mohuar Izraelit këtë të drejtë themelore është një diskriminimin flagrant kundër shtetit hebre, dhe ne sapo e refuzuam”, tha Netanjahu.
Afrika e Jugut festoi vendimin e “Gjykatës së Botës” duke e theksuar se ai nënkupton një armëpushim thelbësor në Gaza. Haga urdhëroi Izraelin që të paraqesë një raport brenda një muaji nga vendimi për kërkesat e shtruara. Ky vendim nuk është ligjërisht i detyrueshëm, por ka një rëndësi të madhe politike.