Nuk shihen si favoritë në “Euro2024”, por Italia mbetet kampione në fuqi. “Azzurret” janë pjesë e grupit të Shqipërisë, së bashku me Spanjën dhe Kroacinë. Pavarësisht se nuk janë në momentin e tyre më të mirë, u kualifikuan me vështirësi, Luciano Spalletti theksoi edhe një herë se përfaqësuesja që ai drejton do të përpiqet t’i shkojë deri në fund këtij turneu:

“Jemi kampion në fuqi, për këtë arsye nuk mund të tërhiqemi pas, nuk mund të shmangim përgjegjësinë, por duhet të japim maksimumin. Nuk mund të falim qoftë dhe një metër nga kjo garë, duhet të japim gjithçka kemi”, u shpreh Spalletti duke shtuar:

“Disa nga lojtarët e mi e kanë fituar Evropianin, dua që ata t’ia transmetojnë këtë edhe pjesës tjetër të ekipit, dua që t’ia përcjellin mënyrën se si duhet të sillen në një turne të tillë. Italia duhet të mësohet me idenë që të konkurrojë në nivele të larta çdo dy vite, në Evropian dhe Botëror, këtë duhet ta bëjë në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh ndër të tjera Spalletti.