80 milionë udhëtime me avion pritet të bëhen gjatë fluksit të transportit me rastin e Festës së Pranverës (Viti i Ri Kinez), deklaruan autoritetet e aviacionit civil të Kinës në një konferencë shtypi të hënën në Pekin citon CMG.
Siç mësohet, periudha e transportit të Festës së Pranverës do të fillojë më 26 janar dhe përfundojë më 5 mars, duke zgjatur 40 ditë. Kulmet do të jenë më 8, 16, 20 dhe 25 shkurt.

Sipas parashikimit, ardhje-vajtjet e studentëve gjatë pushimeve dimërore, udhëtimet e punëtorëve nga fshati që punojnë në qytete, si dhe vizitat turistike do të jenë tre prirjet kryesore të transportit.

Linjat më të kërkuara të fluturimeve do të përqendrohen në katër grupe qytetesh e provincash: Pekin – Tianjin – Hebei, Guangdong – Hong-Kong – Makao, Chengdu – Chongqing, si edhe ato në Deltën e Lumit Jance.
Përveç kësaj, edhe qytetet turistike në jug, si Sanya e Haikou me peizazh bregdetar, në Verilindje dhe Xinjiang me burime të pasura turistike të akullit dhe të dëborës, do të presin në mënyrë të ndjeshme rritje të turistëve.