Qindra kamionë mbeteshin të bllokuar sot në anën e Pakistanit të kalimit më të ngarkuar kufitar me Afganistanin, disa ditë pasi pikat kufitare u mbyllën për tregti prej një konflikti mes dy vendeve.
Kamionistët që prisnin në Pakistan ankoheshin se ditët e fundit zyrtarët kishin nisur të kërkonin vizë dhe pasaportë për të kaluar kufirin, në përkeqësimin e fundit të lidhjeve mes dy vendeve.
Zhvillimi vjen pas fushatës së muajve të fundit të Islamabad për largimin e të gjithë afganëve pa dokumente nga Pakistani si dhe duke ashpërsuar kërkesat për ata që duan të hyjnë në vend.
Kalimi kufitar i Torkham është mbyllur për mjetet tregtare prej të premtes, teksa zyrtarët thonë se rreth 3,000 kamionë kanë mbetur të bllokuar në dy anët e kufirit.
Kreu i dhomës së tregtisë Pakistan-Afganistan Khan Jan Alakozai, tha për rrjetin AFP: “Kjo po shkakton humbje të rënda si për tregtarët e dy vendeve por dhe po rrit akoma më shumë çmimet në të dy vendet, pasi ngarkesat janë mallra ushqimore që mund të prishen nëse kalimet mbeten të mbyllura”.
Dy palët fajësonin njëra-tjetrën për mbylljen e kalimit të Torkham, teksa prej të premtes fatkeqësisht bllokimet janë zgjeruar dhe në pika të tjera mes dy vendeve.
Konflikti fokusohet në kërkesa të shtuara papritur për shoferët e dy palëve si viza e pasaporta, që Afganët nuk i zotërojnë dhe nuk u ishin kërkuar më parë.
Linja të gjata kamionësh gjarpëronin në rrugën drejt Torkham mbrëmjen e djeshme, raportonin fotografët e rrjetit AFP.
Një zyrtar pakistanez i doganave tha se rreth 450 kamionë ishin bllokuar në anën Pakistaneze të Torkham dhe 600 të tjera ishin detyruar të ndalonin gjatë rrugës.
Ata shtonin se kanë nisur bisedimet në Islamabad e Kabul për zgjidhjen e çështjes, por nuk ka njoftime për kompromis.
Pakistani e Afganistani kanë pasur lidhje të tensionuara muajt e fundit teksa Islamabadi akuzon qeverinë talibane se nuk po bën sa duhet kundër militantë që kanë sulmuar në Pakistan, pretendime që mohohen nga Kabuli.