Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha se hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është vendim historik i BE-së. Në një shkrim në rrjetin social X, ai tha se kjo sjell përfitime të rëndësishme si për Kosovën ashtu edhe për BE-në.

“Hyn në fuqi një vendim historik i BE-së. Qytetarët e Kosovës që nga sot mund të udhëtojnë në BE pa viza. Kjo sjell përfitime të rëndësishme si për Kosovën ashtu edhe për BE-në. I gjithë Ballkani Perëndimor tashmë është i lidhur me zonën Shengen përmes liberalizimit të vizave”, shkroi ai.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sot u organizua udhëtimi i parë i 50 qytetarëve, që fituan udhëtimin drejt Vjenës në kuadër të të një fushate informuese të autoriteteve lidhur me liberalizimin e vizave. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për vite të tëra qytetarët u privuan nga e drejta për të lëvizur pa viza në zonën Schengen.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.